Prokurori i Durrësit, Arjan Ndoj, ka mbetur i plagosur si pasojë e një atentati që i është bërë teksa ishte duke udhëtuar në aksin rrugor Durrës-Tiranë.

Autorët e paidentifikuar ende i kanë zënë prite prokurorit pikërisht në afërsi të mbikalimit të Shkozetit para se të futej në autostradë, rreth orës 16:30 të së premtes, 1 nentor 2019.

Fillimisht ata i kanë qëlluar makinës në pjesën e mbrapme dhe më pas kanë kaluar paralel, duke qëlluar në anën e shoferit.

Vetë prokurori, Ndoj mësohet se ndodhej në vendin e pasagjerit. Në këtë moment makina tip"Mercedes Benz GLK" me targa AA 333 ZD në pronësi të prokurorit, Arjan Ndoj ka humbur kontrollin duke rënë në kanal.

Në këtë video duken edhe momentet e para, kur të plagosurit janë nxjerrë nga makina.

Mjekët konfirmojnë se prokurori ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ai ka marrë frakturë të klavikulës (afër shpatullës).

Bashkë me prokurorin, të plagosur mbetën edhe shtetasit Aleksander Laho, 48 vjeç, i njohur ndryshe si Landi Muharremi, i cili pak vite më parë rrahu biznesmenin libanez.

Fadi Mitri për pronat në gjirin e Lalëzit. Laho ka marrë një plumb në nofull dhe një në qafë. I plagosur, me dy plumba mbeti edhe shoferi i prokurorit, Andi Maloku, 30 vjeç.

"Ne aksin rrugor Durrës - Tiranë në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, rreth orës 16:30, në afërsi të vendit të quajtur "Mbikalimi i Shkozetit" kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit me targa AA 333 ZD, e për pasojë janë plagosur shtetasit A.L., 48 vjeç, A.N., 44 vjeç dhe A.M., 30 vjeç" njoftoi policia.

Menjëherë pas ngjarjes, Maloku u transportua në spitalin e Traumës për shkak të gjendjes së tij më të vështirë.

Pranë Spitalit të Traumës kanë mbërritur familjarët e këtij të fundit të cilët patën debate me forcat e shumta të policisë që ndodheshin aty.

Atentati ndaj prokurorit Ndoj është sulmi më i rëndë i viteve të fundit ndaj njerëzve të drejtësisë. Ndaj ngjarja i ka kaluar menjëherë për hetim Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku hetimet në terren po i drejton vetë, Donika Prela dhe dy prokurorët e Krimeve të Rënda, Anton Martini dhe Besim Hajdarmataj, të cilët kanë qenë edhe në spitalin e Durrësit, ku kanë marrë dëshmitë e prokurorit dhe të plagosurit Laho.

Pas afro 4 orësh, në përfundim të ekspertizës së grupit hetimor është marrë nga policia edhe makina e prokurorit, Arjan Ndoj nga vendi i ngjarjes. Në automjet mësohet se janë gjendur disa dosje. Pistat ku është fokusuar grupi hetimor janë për shkak të detyrës dhe të konflikteve personale për pronat.

Policia e Durrësit u vu në ndjekje të autorëve, por gati 5 orë pas ngjarjes në fshatin Shkafonë afër Gjirit të Lalzit është gjetur një makinë e braktisur, e cila dyshohet se është e autorëve.

Në brendësi të mjetit tip ‘Benz’ 2800 janë gjetur 2 armë automatike të cilat dyshohet se janë përdorur për atentatin. Prokurorët Martini dhe Hadarmataj kanë shkuar në vendin ku u gjet automjeti për të marrë provat.

Policia ngriti postblloqe dhe ushtroi kontrolle në të gjitha akset rrugore në hyrje dhe dalje të qytetit bregdetar.

Prokurori Arjan Ndoj u vu në qendër të opinionit publik kohët e fundit nga kryeministri Rama dhe zëvendëskryeministri Braçe, të cilët e akuzonin për lidhje me bandat kriminale.




/Ora News.tv/