U arrestua për korrupsion, lirohet Drejtori i burgut 313

Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar arrest shtëpie për drejtorin e burgut 313, Eduart Strugaj, ndërsa arrest me burg për dy vartësit e tij. Strugaj dhe dy vartësit u ndaluan pas ndryshimeve për korrupsion. Ata dyshohen se i kanë kërkuar përfaqësuesit të dyqanit 550 mijë lekë në këmbim të favoreve për t’i dhënë leje të ushtrojë aktivitetin brenda burgut.

Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë arrest shtëpie për drejtorin e burgut 313, Eduart Strugaj, i cili u arrestua të premten nën akuzën e korrupsionit.

Masë më të rëndë, atë të arrestit me burg deri në përfundim të hetimeve, togat e zeza dhanë për shefin e Logjistikës, Florjan Ahmetaj, dhe përfaqësuesin e subjektit brenda institucionit të vuajtjes së dënimit, Ervin Kurtulla.

Drejtori Strugaj ka mohuar akuzat nëpërmjet avokatit te tij, me pretendimin se nuk ka fakte që rëndojnë pozitën e tij.

Fakti që leja për ushtrimin e shërbimit nga subjektet brenda ambienteve të burgut jepet nga drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka lehtësuar pozitën e drejtorit të 313-ës.

Prokuroria kërkoi arrest me burg për të akuzuarit me pretendimin se disponojnë përgjime telefonike dhe ambientale.

Kreu i burgut 313 së bashku me dy vartësit e tij u arrestuan për akuzat e ryshfetit për lejen e dyqanit brenda burgut për të dënuarit.

Ndalimi i tyre u bë me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Anti-korrupsion me argumentin se zyrtarët i kanë kërkuar përfaqësuesit të dyqanit 550 mijë lekë në këmbim të favoreve për t'i dhënë lejen brenda burgut.

Në momentin e arrestimit shefit të logjistikës i janë sekuestruar 100 mijë lekë, që sipas SPAK-ut janë përfitim i parregullt nga personi që kishte dyqanin brenda burgut.

EMISIONET