EKSKLUZIVE/ U shpall "Lojtari i Vitit" në Superiore, talenti mirditor firmos në Kroaci
Një tjetër i ri shqiptar ka nënshkruar me Lokomotivën e Zagrebit.
Bëhet fjalë për të riun, Albion Marku. Talenti mirditor ishte në provë te skuadra kroate dhe cilësitë e tij kanë bindur drejtuesit kroat për t'i ofruar një kontratë si profesionist. Gjatë turneut të zhvilluar në Holandë, Marku arriti të tregoi aftësitë e tij para portës, duke realizuar por edhe asistuar për shokët e skuadrës.
Burime për "RTV Ora", bëjnë me dije se Marku, i cili u shpall "Lojtari i Vitit" në Kategorinë Superiore për moshën U-19 në radhët e Shkëndijës së Tiranës ka firmosur për 1 sezon, me opsion për të vijuar sërish me Lokomotivën. Futbollisti i kombëtares U-20, shënoi 15 gola dhe dha 26 asiste në sezonin e fundit.
Skuadra kroate i ka hedhur prej kohësh sytë nga Shqipëria dhe janë jo të paktë lojtarët e marrë nga toka jonë. Jon Mersinaj, Enis Çokaj, Indrit Tuci janë vetëm disa nga prurjet e fundit te skuadra kroate, teksa pjesë aktuale e kroatëve është edhe Myrto Uzuni.
Në të shkuarën kanë pasur në ekip lojtarë si Emiljano Vila, Endri Çekiçi, Amir Rrahmani, Herdi Prenga dhe Eros Grezda. Aktualisht pjesë e të rinjve të tyre është edhe sulmuesi Arbër Mehmetllari.

