EKSKLUZIVE/ Laçi godet në limite, siguron mesfushorin shqiptar nga Lokomotiva e Zagrebit
Vijon bashkëpunimi mes klubit të Laçit dhe tregut kroat. Pas huazimeve të Herdi Prengës, Jon Mersinaj dhe Enis Çokaj, kurbinasit kanë arritur akordin me një tjetër futbollist të talentuar shqiptar.
Bëhet fjalë për Albion Markun. Burime të sigurta për "Rtv Ora", zbulojnë se mesfushori do të mbërrijë ditën e sotme në Laç, ku do të prezantohet me ekipin kurbinas. Marku do të kalojë në formulën e huazimit pa të drejtë blerje nga Lokomotiva e Zagrebit, ekip që i zotëron edhe kartonin.
19-vjeçari i kombëtares shqiptare U-20 ka shkëlqyer te ekipi i dytë i Lokomotivës dhe transferimi te Laçi shihet si një trampolinë e duhur për të mbledhur minuta dhe për të qënë i gatshëm për të bërë kapërcimin e madh, atë të përfshirjes në ekipin e parë të Lokomotivës.
Aty, Marku do të gjente një koloni shqiptare, ku përpos Myrto Uzunit do të kishte mundësi të aktivizohet krah Jon Mersinaj, Lirim Kastratit, Enis Çokaj dhe Indrit Tucit.

