Biseda telefonike që ''fundosi'' Ilir Xhepajn, ja si u kap autori i dytë i dyshuar për atentatin në Kurbin

Një nga tre personat e shpallur në kërkim nga policia për vrasjen e dyfishtë të ndodhur më 30 maj në Kurbin është arrestuar në orët e mesnatës në Tiranë.

Ilir Xhepaj, person me precedent të mëparshëm penalë, u prangos nga forcat e rendit pas një operacioni në periferi të Tiranës.

''Mbi bazën e informacioneve të siguruara gjatë hetimeve të kryera për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura gjatë muajit maj 2020, Policia e Kurbinit ka arritur të lokalizojnë vendodhjen e 33-vjeçarit të shpallur në kërkim, ku pas disa ditë ndjekjeje në bashkëpunim me DVP Tiranë, është finalizuar operacioni policor "Ndjekja”, duke bërë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit I. Xh. (L.), 33 vjeç, banues në Laç, Kurbin, i dyshuar si autor i dytë i vrasjes së dyfishtë të ndodhur më 30 maj 2020 në Fushë Gjormë Kurbin'', thuhet në njoftimin e policisë.

Mësohet se Ilir Xhepaj ishte fshehur në një apartament në këtë zonë. Ai kishte më pak se tri muaj që ishte liruar nga burgu për grabitje, dhe jeta e tij ishte e ndarë mes Tiranës, Laçit dhe Kurbinit. Klaudio Perkola, Ilir Xhepaj dhe Elson Alija, të tre nga Kurbini u shpallen në kërkim si bashkëpunëtorë në vrasjen e Paulin Gjergjit dhe Bujar Likes. I arrestuari ndodhet dhe i dyshuari si autori kryesor, Eduart Lamaj.   

Gjithashtu, për këtë shtetas Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin kishte dhënë masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprat penale "Vrasje me dashje mbetur në tentative" dhe "Armëmbajtja pa leje", pasi në 15 maj 2020, në lagjen nr. 4, Laç, Kurbin, ka plagosur me armë zjarri shtetasin Z. M.

Materialet hetimore u referuan në  Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprat penale në ngarkim të tij "Vrasja me dashje,e kryer në bashkëpunim ", "Vrasja e mbetur në tentativë" dhe “Armëmbatja pa leje".

Si u arrestua Ilir Xhepaj- Ai ndiqej prej disa ditësh nga policia, të cilët së fundmi kishin informacion se Xhepaj strehohej në një apartament të marrë me qira, pranë vendit dhe ku u prangos. Lokalizimi i tij është bërë pasi, hetuesit kishin në përgjim edhe bashkëshorten e tij, ndërsa në telefonatën e fundit Xhepaj u konstatua duke biseduar me një person që jepte banesa me qira. Pasi ka mbaruar telefonatën, 33-vjeçari ka zbritur në hyrje të pallatin ku banonte për të takuar qiradhënësin, ku më pas kanë ndërhyrë efektivët e komisariatit të Kurbinit, në bashkëpunim me forcat operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, duke e prangosur.

Roli i Xhepajt në atentatin e Kurbinit - I arrestuari i fundit Ilir Xhepaj dyshohet se ka neutralizuar me armë dy djemtë e Paulin Gjergjit, në mënyrë që ata të mos lëviznin nga makina në momentin kur Eduart Lamaj ka hyrë në hotel dhe ka ekzekutuar dy biznesmenët më 30 maj. Xhepaj ka nxjerrë nga Hoteli Eduart Lamajn pasi ai ishte plagosur në shkëmbim zjarri me viktimat ndërsa kishte vetëm 3 muaj që ishte liruar nga burgu për ngjarjen e ndodhur më në 15 maj 2020, ku ka qëlluar me armë 33-vjeçarin Zef Marku, pa mundur ta ekzekutojë atë. më herët ilir xhepaj ka qenë i dënuar edhe për grabitje me armë në vitin 2012.

Ekspertiza e pistoletave të përdorur në atentat - Pas kapjes së Xhepajt, në kërkim për krimin mbeten edhe dy të rinjtë e dyshuar ndërkohë që policia është në pritje të ekspertizës së dy armëve të gjetura në një pusetë pranë klinikës ku po kurohej Eduart Lamaj në Tiranë.  Dy pistoletat që dyshohet se janë përdorur në vrasjen e dyfishtë në Laç më 30 maj, ku mbetën të vrarë dy biznesmenët Bujar Lika dhe Paulin Gjergjit janë gjetur nga policia pas njoftimit të dhënë nga një punëtor i zonës. Armët janë gjetur në rrugën "Pjetër Budi" afër spitalin privat "Amavita" në Qytet Studenti ku u mjekua ilegalisht Eduart Lamaj. Pistoletat tip "Glok" ishin fshehur në një pusetë në daljen e pasme të spitalit privat, jashtë rrethimit të objektit ndërsa dyshohet se janë vendosur aty nga Eduart Lamaj ose personat që e sollën atë në spital. Pas sekuestrimit dy armët janë dërguar në laboratorin e policisë shkencore për analizim të gjurmëve.

Burg për Eduard Lamajn - Gjykata e Kurbinit vendosi më 26 qershor masën e sigurisë “Arrest me burg” për Eduart Lamaj. Seanca për caktimin e masës së sigurisë është zhvilluar në ambientet e spitalit të Traumës në Tiranë, ku po merr mjekim pasi mbeti i plagosur gjatë shkëmbit te zjarrit mbrëmjen e 30-majit në Kurbin.

Si u arrestua Eduard Lamaj - Identifikimi i 30 vjeçarit si autor i vrasjes së dyfishtë është bërë pas analizave të ADN-së marrë nga gjurmët e gjakut të gjetura në vendin e ngjarjes. Identiteti i tij është përforcuar dhe nga pamjet e kamerave të sigurisë ku ai mbeti i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit.

Ndërkohë policia po e mbante nën vëzhgim prej disa ditësh ndërsa ai qëndronte në banesën e të motrës në kryeqytet. Kur gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua u dërgua për mjekim në një klinikë private ku mjekohej prej ditësh. Atëherë agjentët vendosën të ndërhyjnë mbrëmjen e të hënës, 22 qershorit.

Arrestohen mjekët - Po gjatë operacionit u vunë në pranga dy mjekët në klinikën në të cilën mjekohej autori i vrasjes, konkretisht shtetasit Viktor Marku, 42 vjeç dhe Besim Lama,  46 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale "Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Vrasja në Kurbin - I riu mbeti i plagosur në këmbë gjatë atentatit ku mbetën të vrarë biznesmenet Bujar Hysenit (Lika) dhe Paulin Gjergjit (Markaj), ngjarje e ndodhur më 30 maj brenda ambjenteve të një hoteli në autostraden Milot-Mamurras.


EMISIONET