Aksioni i Ramës kundër Lelit, Kikia: Një parti që drejtohet në mënyrë autoritariste, do prodhojë qeveri autoritariste
Kryesocialisti, Edi Rama, vendosi përjashtimin e kryebashkiakut të Vlorës, Dritan Leli, nga fushata elektorale dhe PS pasi ai refuzoi të bëhet pjesë e listës së kandidatëve për deputet për zgjedhjet e 25 prillit.
Analisti, Mentor Kikia, për Rtv Ora e sheh të tepruar investimin e kryeministrit Rama në këtë aksion politik ndaj zotit Leli.
Sa i takon shkarkimit të tij si kryetar Bashkie, Kikia thotë se Rama ngatërron funksionin e kryeministrit me atë të kreut të PS.
Kikia: Kryeministri ka të drejtë të shkarkojë kryetarin e bashkisë nëse jemi në kushtet e flagrancës, edhe pse është i zgjedhur nuk është i pacënueshëm. Këtu kemi të bëjmë me ngatërrimin e funksionit të kryeministrit me kryetarin e PS, të kryebashkiakut me funksionet partiake në këtë qark.Për fat të keq në Shqipëri asnjëherë nuk u nda pushteti nga partia. Ajo që ndodhi në Vlorë është shumë e qartë.
Kryeministri ka kaluar kompetencat dhe të drejtën morale për ti kërkuar një njeriu që ka garuar në zgjedhjet vendore, pavarësisht si u zhvilluan, ai është votuar dhe nëse refuzon të garojë për deputet nuk mund të ushtrosh këtë lloj presioni. Kjo konfirmon mënyrën si drejtohen partitë në Shqipëri. Një parti që drejtohet në mënyrë autoritariste do të prodhojë një qeveri autoritariste.
Lexo edhe- Leli e refuzoi, Rama e përjashton nga PS: Hesapet me kryebashkiakun e Vlorës pas 25 prillit
Rama është treguar i kujdesshëm që “hesapet” me Lelin t’i kryejë pas 25 prillit, si një mënyrë që problemet brenda partisë të mos ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve në Vlorë.
Kikia thotë se nëse Rama vendos ta shkarkojë nga detyra qytetarin e parë të Vlorës do të duhet të gjejë arsye ligjore.
Sa i takon listave të PS-së, Kikia nënvizon faktin e kandidimit të figurave kryesore të kësaj partie në pozicione të pasigurta.
Kikia: Te listat e PS, drejtuesit e lartë të partisë kanë zbritur në renditje. Nuk e di nëse është një përpjekje për ti nxitur këta njerëz që kanë marrë gjithçka nga partia dhe tani janë të detyruar që të derdhin djersë për ti marrë ato vota me punën reale në terren ose është një zgjedhje taktike për ti larguar në mënyrë demokratike. Në ato pozicione ku janë mund të mos fitojnë.
