Tre të vdekur dhe një i plagosur është bilanci i një aksidenti tragjik të regjistruar mbrëmjen e të enjtes, 4 mars, në Kodër-Kashar. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:30.

29-vjeçari Zija Murati duke drejtuar mjetin tip “Opel” ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga duke u përplasur me murin e një banese.

Si pasojë e aksidentit kanë gjetur vdekjen në vend tre pasagjerët që udhëtonin në makinë, vëllezërit Ismail Sula dhe Belul Sula 56 dhe 53 vjeç dhe Dashamir Dema 50 vjeç.

Nga aksidenti ka mbetur i plagosur edhe 29-vjeçari Murati i cili është transportuar me urgjencë në spital për mjekim.

Policia ka bërë arrestimin në flagrancë të tij.

“Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Z. S.(M.), 29 vjeç, pasi duke drejtuar mjetin tip “Opel” ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga duke u përplasur me murin e një banese. Si pasojë kanë humbur jetën 3 pasagjerët në mjet, shtetasit I. S., 56 vjeç, B. S., 53 vjeç (vëllezër) dhe D. D., 50 vjeç“.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.