Në prag të zgjedhjeve presidenciale në SHBA, zyrtarët e rendit janë duke siguruar vendin që votuesit të mund të votojnë  në mënyrë të sigurt dhe pa u frejtuar nga frika dhe dhuna.

Shumë votues janë të nervozuar pasi një sërë incidentesh mes mbështetësve të Presidentit Donald Trump dhe votuesve demokratë që mbështesin ish-nënpresidentin Joe Biden, kanë ngjallur shqetësime se tensionet politike mund të përshkallëzohen në dhunë ditën e zgjedhjeve.

Ndërsa kanë mbetur vetëm disa orë para hapjes së qendrave të votimit në të gjithë vendin për një raund të fundit votimi në zgjedhjet presidenciale dhe për Kongresin e vitit 2020, aktivistët e të drejtës së votimit dhe zyrtarët më të lartë të rendit në shtetet kryesore të cilat mund të vendosin fatin e zgjedhjeve të hënën, u përpoqën të qetësonin ankthin e votuesve.

“Kam shumë besim se do të kemi një proces të sigurt votimi në Uiskonsin dhe se gjërat do të shkojnë normalisht në votime nesër,” – i tha Prokurori i Përgjithshëm i Uiskonsit, Josh Kaul medias.

“Ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të mbajtur zonat e qendrave të votimit të sigurta në mënyrë që çdo banor i Karolinës së Veriut të ndihet i sigurt se mund të votojë pa asnjë formë ngacmimi,” tha Prokurori i Përgjithshëm i Karolinës së Veriut Josh Stein.

Karolina e Veriut dhe Uiskonsin janë mes mbi dhjetë shtetesh fushë beteja ku zoti Trump dhe zoti Biden ose kanë të njëjtin nivel mbështetjeje, ose zoti Biden ka një epërsi të lehtë. Rezultati i atyre garave shihet si vendimtar për përcaktimin e fituesit të zgjedhjeve presidenciale.

Ankthi parazgjedhor nuk është diçka e re. Tensionet politike kanë prirje të rriten në periudhën rreth zgjedhjeve kombëtare, thotë Brian Levin, drejtor i Qendrës për Studimin e Urrejtjes dhe Ekstremizmit në Universitetin Shtetëror të Kalifornisë.

Përpara zgjedhjeve, vëzhguesit e ekstremizmit kanë paralajmëruar për rritjen e aktivitetit nga grupet e ekstremit të djathtë, ndërsa agjencitë e zbatimit të ligjit janë përgatitur për mundësinë, sado të vogël, të dhunës elektorale. Ndërsa është shumë herët për të thënë atë që do të sjellë e marta, bizneset kanë mbuluar me kompensatë vitrinat e tyre në Nju Jork, Uashington në pritje të trazirave të mundshme.

Ankthi është shkaktuar pjesërisht nga një sërë incidentesh gjatë fundjavës që përfshijnë mbështetësit e Trump dhe votuesit demokratë.

Të premten, një autokolonë makinash me mbështetës të presidentit Trump ndoqi një autobus të fushatës së zotit Biden ndërsa po kalonte nëpër një autostradë pranë qytetit qendror të Teksasit, San Marcos.

Sipas fushatës së zotit Biden, stafi që punon për garën e kandidatit demokrat i telefonoi linjës së emergjencave dhe policia lokale u përgjigj duke e shoqëruar autobusin deri në destinacion.

Fushata e zotit Biden tha se anuloi tre aktivitete për shkak të “shqetësimeve të sigurisë”.