Zgjedhjet në SHBA/ Qori: Zgjedhjet presidenciale si zgjedhjet në Shqipërinë e viteve 2000
I ftuar në studion e RTV Ora, përballë gazetares Beti Njuma, pedagogu i shkencave politike Arlind Qori komentoi zgjedhjet presidenciale në SHBA, që as sot nuk e kanë një fitues.
Sipas tij, Joe Biden ishte kandidati më i dobët i mundshëm nga ana e demokratëve ndërsa shtoi se, me sjelljen e tij para dhe gjatë procesit zgjedhor, Donald Trump ka treguar dilentatizëm politik.
“SHBA, gjatë presidencës së Trump, ka fituar disa karaketeristika politike që kanë qenë për vende në tranzicion, si Shqipëria. Shumëkush që ka ndjekur procesin zgjedhor në Amerikë, jo vetëm sot, por edhe muajt e shkuar, ju është kujtuar Shqipëria e fillimviteve 2000. Kur dilte dikush e shpallte veten fitues, para se të niste numërimi.
Është e çuditshme që një president në detyrë të thotë atë çfarë ka thënë Trump muaj më parë se nuk do i njoh zgjedhjet nëse ai nuk fiton. Ose të thotë se nuk ka mundësi që unë mos fitoj.
Këtë vjedhjen e zgjedhjeve e ka thënë edhe pa filluar procesi i numërimit, muaj më parë, çka tregon një dilentatizëm politik nga ana e tij, por tregon edhe krizën ku ka hyrë sistemi politik amerikan vitet e fundit”, u shpreh Qori.
Sipas Qorit, Amerika është demokracia e parë, por jo modeli i demokracisë.
