Basha i përgjigjet Ramës: Ka ngritur shtet policor për t'i zgjatur jetën kufomës së tij politike
Kryetari I PD-së Lulzim Basha iu përgjigj kryeministrit Edi Rama i cili sot në një konferencë me gazetarët e quajti “lider pa karakter”
Rama tha se Basha hesht si semafor i fikur dhe këtë e lidh me heshtjen ndaj protestave pas vrasjes së Klodian Rashës.
Kësaj deklarata Kreu i PD i është përgjigjur duke thënë se distancohet dhe dënon dhunën e Edi Ramës dhe shtetit policor që ka ngritur me të cilën mendon se do i zgjasë jetën kufomës së tij politike.
Lulzim Basha: Jo vetëm që distancohem por dhe e kam dënuar dhunën e Edi Ramës dhe shtetit policor që ka ngritur me të cilën mendon se do i zgjasë jetën kufomës së tij politike dhe regjimit të tij të dështuar 7 vjeçar të premtimeve të pambajtura. Kam kërkuar dhe zyrtarisht dje hetimin e dhunës së Edi Ramës e të Ardi Veliut dhe një grushti horrash që e bëjnë me turp pjesën më të madhe të policisë së shtetit që janë familjarë po kështu të turpëruar nga dhuna dhe nga keqpërdorimi. Prindër dhe ata me fëmijë që po iu plas shpirti, mezi po presin dhe ata ndryshimin e madh që do të vijë më 25 prill.
Lideri i opozitës tha se Edi Rama është personifikim i dhunës duke përmendur të gjitha ngjarjet në të cilat policia e shtetit ka ushtruar dhunë ndaj qytetarëve.
Lulzim Basha: Edi Rama është pengu i dhunës kriminale që është shkaktuar nga aleanca e tij me oligarkët dhe me krimin. Është personifikim i dhunës, i shkatërrimit të qindra mijëra shtëpive të shqiptarëve, pengu i oligarkëve që i nxori me gaz familjet nga shtëpitë e tyre nga fundi i bulevardit, përfshi dhe fëmijë 5 vjeçarë dhe ju rrahu nënat. A ka shqiptarë që nuk e mban mend. Arrestimin e shoqërimin e grave në moshë te Unaza e Re, rrahjen brutale të artistëve, pasi shembi Teatrin Kombëtar. Dhunën e këtyre ditëve kundër të miturve 12-13 vjeçar. Ky është brezi që ka dalë në rrugë e thotë mjaft më. Një pjesë largohet, një pjesë reziston ndaj dhunës së Edi Ramës, përgjigja e vetme e të cilit është më shumë dhunë.
I dha përgjigje dhe atyre që krahasojnë vrasjen e 25 vjeçarit me 4 vrasjet e 21 janarit.
"Kurrë nuk do të bëjë kompromis me të keqen, krimin dhe me jetë njerëzish për të ardhur në pushtet” u shpreh Basha.
Basha thotë se vrasja e Rashës është vetëm një nga shumë arsyet pse të rinjtë janë sot në protestë.
Basha garantoi se PD po punon për ndryshim real dhe jo thjesht rrotacion.
