Kosovë, debat për xhandarmërinë serbe në fshatin Karaçevë, Hoti: Janë organizuar organet përkatëse
Hyrja e xhandarmërisë serbe në thellësi të territorit të Kosovës ka provokuar reagimin institucional të autoriteteve vendëse. Opozita thotë se Serbia me këtë veprim po kërcënon sovranitetin e tyre. Kryeministri Avdullah Hoti deklaron se organet përkatëse po e shqyrtojnë incidentin.
Një patrullim i përbashkët i Forcave të Armatosura Ndërkombëtare në Kosovë bashkë me ato serbe në territorin e vendit ka nxitur reagimin e funksionarëve më të lartë në vend.
Ishte deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, i cili postoi në rrjetet sociale një video që tregonte 11 pjesëtareve të forcave të xhandarmërisë serbe, një njësi speciale policore, teksa lëviznin me uniforma dhe të armatosur brenda një lagjeje të banuar të fshatit Karaçevë të Kamenicës.
Nënkryetari i komunës lindore, Faton Jakupi, njoftoi se ai ka kërkuar takim urgjent me komandën e KFOR-it si një autoritet paqeruajtës për zonën, për të hedhur dritë mbi atë që mund të konsiderohet kërcënim i sovranitetit dhe integritetit territorial dhe mospërsëritjen e incidentit.
"...nga ta u informova se paskan pasur patrullime të përbashkëta KFOR-i amerikan, turk dhe pala serbe. Po pse është lejuar që xhandarmëria serbe të futet në këtë pjesë të territorit të Kosovës ende nuk kam marrë përgjigje nga KFOR-i. Shqetësuese janë këto patrullime edhe nëse janë të përbashkëta," - informoi Jakupi me një postim në Facebook.
Reagimet politike u pasuan të shtunën nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila kërkoi përgjigje institucionale ndaj veprimit të turpshëm të palës serbe.
"...veteranët e UÇK-së nuk kanë luftuar që të shohim xhandarmërinë serbe të futet në territorin e Kosovës sa herë të dojë. Turp për Qeverinë e Republikës së Kosovës," - shtoi kryetari i organizatës, Hysni Gucati.
Ndërkohë, me një postim në rrjetet sociale, kryeministri i vendit, Abdullah Hoti, siguroi se organet përkatëse po e shqyrtojnë çështjen dhe do ketë koordinim me të gjithë mekanizmat e sigurisë.
Prezenca e herëpashershme e xhandarmërisë serbe në fshatin kosovar të Karaçevës në Kamenicë është dënuar disa herë këtë vit nga autoritetet lokale.
Vetëm një ditë më parë, Kuvendi i Kosovës nisi të diskutojë një projektligj të propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, që parasheh përcaktimin e obligimit institucional dhe qytetar për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.
Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka deklaruar se nisma rrezikon të minojë lirinë e shprehjes, ndërsa nga Beogradi, presidenti Aleksandër Vuçiç tha se ai ia ka shprehur rezervat e tij edhe emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun dypalësh.
Vuçiç thotë se miratimi i ligjit do të ketë pasoja ndërsa në shtator pret që ai jetë pjesëmarrës në një takim tjetër në Bruksel, në kuadër të negociatave Kosovë-Serbi.
