Vjelja e mollës nis me ankesa në Korçë, pemëtoret mundësi punësimi, por fermerët ankohen
Sezoni i vjeljes së mollëve ka nisur me ankesa në qarkun e Korçës. Si çdo vit fermerët kanë shqetësim tregun dhe çmimin, ndërsa ankohen se kur bëjnë llogaritë, bëhen të presin pemët. Në drejtorinë e Bujqësisë, thonë se eksportet janë rritur, por tregu kërkon varietete konkurruese, ndërsa për të ulur kostot qeveria po shqyrton heqjen e akcizës për naftën që përdorin fermerët.
Sezoni i vjeljes së mollëve ofron një mundësi punësimi për shumë banorë në qarkun e Korçës, të njohur për kultivimin e pemëve frutore.
Dita e punës thonë se paguhet deri në 14 euro, dhe për disa është ndër mundësitë e pakta për të mbajtur familjen.

"70 vjeç dhe vi punoj këtu, më mban me bukë ky zotëria!"
"Kam tre fëmijë, të tre në shkollë të lartë. Mbahet shtëpia me 10 mijë lekë?"
Prodhimi është i mbarë, por shqetësim i përvittshëm i fermerëve mbetet çmimi, sipas tyre i ulët, dhe sigurimi i tregut.
"Fshatarët janë gjithmonë të lodhur dhe të sfilitur dhe nuk i nxjerrin shpenzimet as me këtë qeveri, as me atë qeveri që ishte dhe as me atë që do të vijë."
Thonë se kur zbresin shpenzimet për pesticide e naftë, bëhen për ti prerë pemët.
"Them tu vë sharrën në fund dhe të fle e qetë, se po na sëmur stresi."
Në qarkun e Korçës janë rreth 4200 hektarë sipërfaqe pemëtore dhe në vit prodhohen rreth 100 mijë tonë mollë.
Në drejtorinë e Bujqësisë thonë se çmimin e vendos tregu, ndaj rekomandojnë kultivimin e varieteteve të kërkuara.

"Të rritin cilësinë, të futin teknologjinë e re, të futin varietet e reja që kërkon tregu."
Ndërsa për tu lehtësuar kostot, thonë se Qeveria pritet të reduktojë nga barra e taksave naftën që përdorin fermerët.
"Besoj se së shpejti që qeveria shqiptare do të marrë një vendim për këtë por njëkohësisht edhe aplikimi në skemat subvencionuese."
Rritja e prodhimit vit pas viti, por dhe problemet me tregun, kanë bërë që dhjetra tonë mollë të kalben në magazinat e fermerëve.

