Vizita në Bruksel, Gjosha takon Komisionerin Europian për Migrimin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, z. Dimitris Avramopulos

Vizita në Bruksel, Gjosha takon Komisionerin Europian për Migrimin,

Ministrja e Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha, nisi sot një vizitë zyrtare pune në Bruksel. Znj. Gjosha  do të jetë e pranishme në takimin e gjashtë të Komitetit të Stabilizim Asociimit, i cili zhvillohet në datë 20 mars. Gjatë qëndrimit në Bruksel Ministrja  ka planifikuar të zhvillojë edhe një  sërë takimesh të tjera me zyrtarë të lartë të Komisionit Europian.

Takimin e parë, Ministrja Gjosha e zhvilloi sot me Komisionerin Europian për Migrimin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetetësinë z. Dimitris Avramopulos. Gjatë këtij takimi, Ministrja e informoi z. Avramopulos mbi reformat që Shqipëria po ndërmerr në lidhje me procesin e integrimit, duke shprehur angazhimin maksimal të qeverisë shqiptare për të avancuar me këtë proces.

"Ne jemi të vetëdijshëm që kemi shumë sfida përpara,ndaj edhe dëshirojmë  që t'i kapërcejmë ato me ndihmën e  të gjitha vendeve anëtare, mbështetja e së cilave për ne është tejet e çmuar. Qeveria shqiptare e konsideron procesin e integrimit, prioritetin më madhor kombëtar dhe është e vendosur që me gjithë aktorët dhe mbështetjen e qytetarëve të vazhdojë rrugën e saj drejt Bashkimit Europian  ", tha Ministrja Gjosha.

Ministrja,  u shpreh se Shqipëria shpreson në një hapje sa më të shpejtë të negociatave me Bashkimin Europian dhe po punohet maksimalisht për të përmbushur 5 prioritetet e lëna nga Komisioni Europian.

"Pas marrjes së statusit të vendit kandidat, sfida jonë e rradhës është hapja e negociatave e cila do ta çonte procesin në një fazë tjetër,ku vërtet do të mund të vlerësoheshin në mënyrë më teknike të gjitha masat për secilën nga fushat që do të përfshihen në këto negociata. Sot Shqipëria është një vend më i sigurt dhe më i zhvilluar edhe në sytë e partnerëve ndërkombëtarë ", u shpreh Ministrja.

Ministrja Gjosha,  theksoi se Shqipëria dhe gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, kanë çfarë t'i ofrojnë Europës dhe janë të qartë e të vendosur në vizionin e tyre për t'ju bashkuar asaj.

Komisioneri Avramopulos, u shpreh se inkurajon dhe mbështet Shqipërinë në aspiratën e saj europiane, duke nënvizuar se zbatimi i reformave, do të mundësojë ecjen përpara të Shqipërisë në këtë proces.

"Shqipëria nuk është vetëm në këtë udhëtim të sajin. Ne ju mbështesim dhe do të vijomë ta bëjmë një gjë të tillë, duke asistuar  me eksperiencën dhe ekspertizën tonë. Jam i bindur se kjo është një mundësi e mirë për ju,  pasi mund të mësoni edhe nga gabimet tona, duke mos  i përsëritur ato. Kjo varet nga vizioni dhe vendosmëria juaj për të realizuar një proces sa më konstruktiv", u shpreh z. Avramopulos.

EMISIONET