Viktima te "Shefqet Ndroqi" kishte punuar si polic, i njohuri tregon largimin nga puna dhe divorcin me të shoqen
60-vjeçari me inicialet L.S nga Laçi, i cili gjeti vdekjen pasi u hodh nga godina e spitalit "Shefqet Ndroqi" ku po mjekohej prej pasdites së 28 nëntorit për koronavirusin, kishte punuar si efektiv policie në periudhën e trazirave të '97.
Një i njohur i tij gjatë kësaj periudhe thotë se e kujton për njeri të rregullt.
Por më pas atë e kishin larguar nga puna si polic për shkaqe ende të panjohura dhe fill më pas ishte divorcuar edhe nga e shoqja.
Siç edhe tregon zotëria që kishte pasur njohje me viktimën, vitet e fundit ai i kishte kaluar vetëm pasi e shoqja dhe fëmijët kishin ikur drejt Greqisë pas divorcit.
"E kam njohur rreth viteve '97-'98, ka qenë në një periudhë kohe oficer policie. Dhe di që ka qenë një burrë me sjellje shumë korrekte dhe shumë normale. Nuk e di se cilët kanë qenë shkaqet vetëm di që u largua nga puna dhe pas largimit nga puna u divorcua nga bashkëshortja. Pastaj nuk kam pasur konktate. Këto kohët e fundit ka jetuar vetëm sepse bashkëshortja dhe fëmijët ikën në Greqi".
Ngjarja e rëndë te "Shefqet Ndroqi" ndodhi pak pas mesnatës, duke u bërë viktima e pestë që hidhet nga spitalet Covid.
