Vetëvrasjet në spital, Gëzim Tushi: Koronavirusi nuk rrezikon vetëm frymëmarjen por edhe shpirtin
Covid-19 përpos problemeve të cilat dihen tashmë nga të gjithë, luan një rol të rëndësishëm edhe në psikologjinë e njerëzve.
Kjo është një temë e cila ditët e fundit është mjaft prezente në mediat tona, i ftuar për të diskutuar në lidhje me këtë çështje ditën e sotme në emisionin "Ditë e Re" në RTV Ora ka qenë i ftuar në një lidhje drejtpërdrejt me skype sociologu, Gëzim Tushi.
Ai foli gjatë për gjendjen shëndetësore psikologjike të pacientëve të infektuar me Covid-19 duke dhënë dhe disa këshilla me situatën dhe përceptimin nga ana psikologjike përsa i përket situatës të koronavirusit.
Moderatori Arjon Muça solli në vëmendje edhe njëherë rastin e djalit të infektuar me koronavirus i cili i dha fund jetës së tij në spitalin Shefqet Ndroqi. Edhe një tjetër pacient 65 vjeçar ka kryer vetëvrasje në po të njëjtin spital pasi ishte në gjendje të rënduar mendore.
Në lidhje me këto dy raste, Gëzim Tushi u shpreh se kjo situatë është tepër serioze dhe nuk duhet lënë neglizhente nga organet përkatëse pasi virusi meriton një vëmendje më të madhe. Në spitalet Covid kemi të bëjmë me pacientë të cilët janë të vetmuar dhe gjendja e tyre mendore rëndohet. Për këtë arsye atyre u lind nevoja që t'u jepet një ndihmë dhe një trajtim i specializuar për shëndetin e tyre mendor.
"Situata që po kalojmë me Covid-19 është situatë serioze dhe ky lajm që sapo përmendët është një lajm i keq i cili duhet të na bëjë të mendojmë se pikërisht këto situata që po kalon shoqëria shqiptare, shtrirja zgjerimi dhe intesiteti i virusit në shoqërinë tonë dhe globalisht është një rrezik eminent i cili duhet vlerësuar akoma dhe më shumë. Kam përshtypjen se ka një mungesë vëmendje, ka një lloj mendjelehtësi, një lloj shkujdesje e cila natyrisht ka pasoja sociale dhe mjekësore. Rasti i humbjes të 65 vjeçarit i cili nuk mundi të kontrollojë veten është e lidhur me shumë faktorë emocionalë. Pasi biografia emocinale e çdo individi është unikale dhe kjo duhet vlerësuar në këto ditë sidomos në spitalet covid ku situata është e agravuar. Gjendja e njerëzve të cilët janë të infektuar dhe situata e tyre varjon nga ajo më e lehta deri te ata në një gjendje më terminale duhet vlerësuar drejt. Sepse kemi të bëjmë me njerëz të cilët janë të vetmuar, dhe keni parasysh se vetmia spitalore veçanërisht vetmia në spitale epidemike ku gjendja është shumë serioze lind nevoja që atyre t'u jepet një ndihmë për shëndetin mendor"- tha ai.
Frika dhe ankthi fillojnë që në momentin kur një i infektuar me koronavirus duhet të shkojë në spitalet Covid. Të gjithë personat fillojnë ta përceptojnë se nëse shkon aty çdo gjë ka marrë fund pasi gjendja jote shëndetësore është e rënduar. Në lidhje me këtë pjesë z. Tushi është shprehur se perceptimi për këto spitale është i gabuar. Nëse shkon aty ke shkuar për t'u shëruar dhe çdo gjë do të kalojë. Këta njerëz duhet të ndihmohen për të kaluar dhe administruar veten në kushtet që ata ndodhen, prandaj dhe figurat e psikologëve, psikioterapistëve në këto spitale janë tepër të nevojshme për të ndihmuar në ekuilibrin e gjendjes shëndetësore të këtyre pacientëve.
"E para njëher është problemi imazhit të spitaleve covid. Po të shikoni ka një perceptim sikur këto spitale janë spitale të gjendjes terminale ose spitale të sëmundjeve të pashërueshme. Nuk është e vërtetë! Që këtu fillon prblemi i pacientëve të infektuar. Nuk duhet të harojmë që kemi të bëjmë me njerëz që kanë botën e tyre shpirtërore dhe duhet t'i ndihmojmë për të administruar veten, vetminë, dëshpërimin të cilat janë pasoja të pashmangshme psikosociale për këta individë që ndodhen të shtruar. Ekipet shëndetësore janë të pazvëndësueshme, mjekët, infermierët kanë bërë një punë vërtet heroike për të shpëtuar jetët e njerëzve por kjo nuk mjafton sepse mesa duket Covid-19 ka disa aspekte dinake, inteligjente të cilat prekin jo vetëm trupin, nuk rrezikojnë vetëm frymëmarjen por rrezikon edhe shpirtin. Atëhere në këtë kontekst unë them se figura e psikologëve, psikoterapistëve mund të ndihmojnë në ekuilibrin e gjendjes shëndetësore të këtyre njerëzve në mënyrë që ata mos i kapë ankthi"- e përfundon fjalën e tij profesori, doktori Gëzim Tushi.
