“Dekriminalizimi po pengohet”, PD letër zhgënjimi kryeprokurorit: Po bllokon prej 1 viti verifikimin

Partia Demokratike i kërkon kryeprokurorit, Olsian Çela, që të mos pengojnë dekriminalizimin.Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Gazment Bardhi, me anë të një letre drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm i tërheq vëmendjen se prej një viti është bllokuar verifikimi i  2 kryebashkiakëve të Partisë Socialiste Mark Babani dhe Qerim Ismailaj, të denoncuar nga PD.

Rreth një vit më parë, Partia Demokratike, i kërkoi prokurorisë të verifikojë të dhënat për të kaluarën kriminale të kryebashkiakëve të Vaut të Dejës Mark Babanit dhe të Mallakastrës, Qerim Ismailaj.

Por ende deri më sot organi i akuzës nuk ka asnjë opërgjigje.  Afati 3 mujor për përgjigjen është zgjatur me kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela, e pikërisht drejt këtij të fundit e ka drejtuar gishtin Partia Demokratike, duke e konsideruar  përgjegjës për zvarritjen dhe pengimin e Ligjit të Dekriminalizimit.

 “Për fat të keq, konstatojmë se me ardhjen tuaj në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, procesi i verifikimit të figurës së zyrtarëve publikë është frenuar dhe ju jo vetëm keni deformuar/ndryshuar mënyrën e zbatimit të ligjit, siç ishte rasti i shtetasit Agron Malaj, por po pengoni tërësisht zbatimin e ligjit të dekriminalizimit.”

Në letrën që mban firmën e Sekretarit të Përgjithshëm, Gazmend Nardhi, qëndrimi i Kryeprokurorit,  cilësohet  si zhgënjim i madh për qytetarët.

“Ky është një zhgënjim i madh për qytetarët dhe secilin prej nesh, që priste korrektësi në përmbushjen e detyrës kushtetuese nga Prokurori i Përgjithshëm, i zgjedhur pas hyrjes në fuqi të Reformës në Drejtësi.”

Në letër renditen tre kërkesa që kanë të bëjnë me dhënien e informacionit për ecurinë e verifikimit, arsyet e vonesës 1 vjeçare dhe përfundimin e verifikimit sipas frymës së ligjit të dekriminalizimit. 

Ligji i dekriminalizmit ka për qëllim të largojë personat me të kaluar kriminale, duke i penguar që të marrin vendime për qytetarët apo të ndikojnë në zgjedhje.

Letra e plotë e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi për Prokurorin e Përgjithshëm:

Z. Prokuror i Përgjithshëm,

Në përputhje me ligjin nr. 138/2015 ‘Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike’, Partia Demokratike e Shqipërisë ka përcjellë kërkesë për verifikimin e figurës:

• Më datë 10.10.2019 për shtetasin Mark Babani, kandidat për Kryetar i Bashkisë Vau i Dejës;

• Më datë 08.01.2020 për shtetasin Qerim Ismailaj, kandidat për Kryetar i Bashkisë Mallakastër.

Në përputhje me ligjin nr. 138/2015, kërkesa, drejtuar Prokurorisë, është shoqëruar edhe me firmën e 500 qytetarëve.

Sipas vendimit nr. 17/2016 të Kuvendit të Shqipërisë, verifikimi përmbyllet brenda një afati 3-mujor nga momenti i ardhjes së kërkesës për verifikim, me përjashtim të rasteve kur Prokurori i Përgjithshëm vendos zgjatjen e këtij afati, kur është e nevojshme që të pritet përgjigje ndaj kërkesave për verifikime të hollësishme pranë organeve të juridiksioneve të huaja, kur ka informacione dhe është e nevojshme që verifikimi të kryhet edhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Edhe pse kemi kërkuar disa herë, zyrtarisht, informacion mbi ecurinë e procesit të verifikimit dhe, pavarësisht se është bërë rreth një vit nga paraqitja e kërkesës, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ka refuzuar në vijimësi të bëjë transparencë dhe të përcjellë informacion zyrtar mbi fazën në të cilën ndodhet procesi i verifikimit dhe arsyet e vonesës së miratimit të rezultateve të verifikimit.

Për fat të keq, konstatojmë se me ardhjen tuaj në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, procesi i verifikimit të figurës së zyrtarëve publik është frenuar dhe ju jo vetëm keni deformuar/ndryshuar mënyrën e zbatimit të ligjit (siç ishte rasti i shtetasit Agron Malaj), por po pengoni tërësisht zbatimin e ligjit të dekriminalizimit. Ky është një zhgënjim i madh për qytetarët dhe secilin prej nesh, që priste korrektësi në përmbushjen e detyrës kushtetuese nga Prokurori i Përgjithshëm, i

Përsa më lart, nisur nga interesi i lartë publik që paraqet kjo çështje, në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe qytetarëve që kanë nënshkruar kërkesën për verifikim,

KËRKOJMË NGA  PROKURORIA E PËRGJITHSHME:

1. Informacion të detajuar për të gjitha veprimet administrative që janë kryer deri në këtë moment për shqyrtimin e kërkesës për verifikimin e figurës së shtetasve Mark Babani dhe Qerim Ismailaj.

2. Informacion mbi fazën në të cilën ndodhet procesi i verifikimit dhe arsyet e vonesës 1 vjeçare.

3. Përmbylljen e procesit të verifikimit dhe një reagim institucional të shpejtë nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, me synim që të arrihet qëllimi kryesor që ka ligji i dekriminalizimit, të largojë personat me të kaluar kriminale, duke i penguar që të marrin vendime për qytetarët apo të ndikojnë në zgjedhje.

Duke ju uruar punë të mbarë,

Sekretari i Përgjithshëm

Gazment BARDHI

Vendi Lajme Politikë Kronike gazment bardhi dekriminalizim mark babani qerim ismailaj

EMISIONET