Verdikti i 8 qershorit në Kosovë, Elezi në Ora News: Të enjten rezultati përfundimtar
Nuk ka vonesa në proçesin e numërimit të votave. Kështu ka deklaruar zëdhënësi i Komisionit Qëndror Zgjedhor të Kosovës, Valmir elezi.
I ftuar në studion e “Ora Live” Elezi ka hedhur poshtë të gjitha akuzat në vonesa gjatë numërimit të votave, pavarësisht se nuk ka ende një rezultat përfundimtar të zgjedhjeve të 8 qershorit.
“Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve nuk është vonuar në shpalljen e rezultatit përfundimtar, pasi janë proçedurat ligjore të cilat KQZ nuk mundet t’i tejkalojë”, tha ai.
Zëdhënësi Elezi deklaroi se Komisioni Qëndror Zgjedhor ka qenë shumë transparent në të gjtiha hapat e proçesit duke menaxhuar situatën me profesionalitet të lartë.
“Komisioni Zgjedhor Qëndror ditën e zgjedhjeve ka zbatuar projektin “Kivotë”. Ky projekt mundëson trasmetimin në kohë reale të rezultateve që vijnë pas përfundimit të numërimit në vendvotim. Këto janë rezultate preliminare për subjekte politike. Janë shpallur brenda një kohe jashtëzakonisht të shkurtër dhe organizimi i zgjedhjeve është vlerësuar jashtëzakonisht nga mediat dhe vëzhguesit vendor dhe ndërkombëtarë, si organizim mjaft cilësor i këtij procesi zgjedhor”, tha ai.
Ndërkohë, pas publikimit të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 8 qershorit, pritet që presidentja e vendit Atifete Jahjaga t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të përcaktuar se kush do të drejtojë qeverinë e re. Hashim Thaci, partia e të cilit ka fituar më shumë vota, apo Ramush Haradinaj, pjesë e koalicionit të opozitës.
