Zbardhen argumentet e Prokurorisë: Edukatorja që i theu këmbën 3-vjeçares, rrezik për shoqërinë dhe mund të arratiset. Vendimi ndaj saj të jepet pas 3 muajsh...
“Ora Neës” zbardh argumentimin e plotë dhe kërkesën e saj për ‘Arrest në burg’ ndaj Majlinda Dehiman, edukatores së kopshtit privat në Tiranë, e cila akuzohet se dhunoi 3-vjeçaren, duke i thyer asaj këmbën.
Edukatorja akuzohet për veprën penale ‘Keqtrajtim i të miturit’, dhe për organin e Akuzës nëse do të aplikohet masë tjetër ndaj saj, paraqet rerizikshmërinë për t’iu shmangur më pas drejtësisë.
Ndërkaq, Akuza kërkon që vendimi përfundimtar i gjykatës të jepet pas 3 muajsh, deri sa të përfundojë analiza e plotë e fëmijës për të parë nëse dëmtimimi i saj është i përkohshëm, apo mund të jetë fatal për vogëlushen.
Më poshtë argumentimi i Prokurorisë dje para Gjykatës
Me dt. 01.11.2023, shtetasja A. K. ka kallëzuar se prej 2 (dy) muajsh ka regjistruar vajzën e saj të mitur M. K, lindur më 21.05.2020, në kopshtin privat “4 Stinët”. Tiranë.
Me dt. 01.11.2023, ajo është marrë në telefon nga edukatoret e kopshtit, të cilat i kanë thënë se vajza kishte këmbën e enjtur.
Në këto kushte, ajo e ka çuar të bijën në spitalin e Traumës për vizitë. Pas vizitës asaj i kanë thënë se vajza kishte të thyer këmbën e majtë.
Në lidhje me këtë çështje, i janë marrë të dhëna shtetases Entela Danushi, e cila ka në menaxhim koshtin privat, si edhe shtetases Majlinda Dehima, edukatorja, e cila kujdeset për të miturën. Këto të fundit kanë pretenduar se e mitura mund të ketë vrarë këmbën, duke e futur mes ndarjeve të krevatit.
Me procesverbalin e datës 02.11.2023 janë administruar pamjet filmike që i përkasin kopshtit privat " Stinët", Tiranë, si edhe është vendosur kryerja e ekspertimit mjeko-ligjor për të miturën e dëmtuar.
Në vijim të hetimeve me dt. 09.11.2023, është dërguar procesverbali për këqyrjen e pamjeve filmike (usb), i cili është mbajtur më dt. 08.11.2023.
Nga studimi i materialit ndër të tjera rezulton se “në pamjet filmike të datës 01.11.2023, në orën 09:38 vërehet hyrja për në kopësht e shtetases së mitur M. K, shoqëruar nga nëna e saj, duke ecur vetë në shkallët që të çojnë në ambientet e brendshme të kopshtit.
Në orën 10:36 edukatorja Majlinda Dehima i afrohet M.K, e cila është duke qarë dhe ulur në karrigen afër derës, duke ju drejtuar me fjalët: “çfarë keni, çfarë keni”...
Në vijim të këqyrjes në dhomën e vizatimit, në orën 19:37, Majlinda Dehima, si vjen nga holli i afrohet (vogëlushes) M. duke e prekur me dorë në pjesën e mjekrës, në dukje duke e goditur, duke e marrë nga dora dhe tërhequr, për ta ulur në një karrige tjetër, pranë tavolinës.
Majlinda në dorën e majtë mban një send me ngjyrë blu, në dukje si një mjet mësimor, vizore.
Në orën 10:37 Majlinda duke qëndruar karrige zgjat dorën dhe godet me mjet mësimor karriken, ku është ulur Melisa, e cila duket sikur qan. Këto veprime përsëriten prapë nga Majlinda deri në orën 10:39...
Në vijim të këqyrjes, në orën 13:46 nga zëri audio dëgjohet një zë fëmije, i cili këndon dhe në atë moment, drejtohet pranë krevatit Fabjola Veli duke i thënë “shhh, ku je ktu ti?”.
Në orën 13:47 futet në dhomën e gjumit Majlinda Dehima, e cila shkon te krevati ku ndodhet vajza M. dhe i drejtohet me fjalët: “ça bën, ça bën ktu ti, se ty ta kemi qejfin mëngjes, drekë, darkë”.
Më pas dëgjohet në audio një kërcitje dhe menjëherë Melisa fillon të qajë - theksohet se veprimet nuk duken nga kamera, por nga dëgjimet audio fëmija vazhdon duke qarë...
Në oren 13:50 Majlinda Dehima del nga dhoma gjumit dhe hyn përsëri duke u munduar që ta qetësojë vajzën M.
Instituti i Mjekësisë Ligjore, ka përcjellë aktin e ekspertimit mjeko-ligjor, sipas të cilit është arritur në përfundimin se: Referuar kartelës klinike të S.U.T. Tiranë rezulton se në trupin e fëmijës Melisa Krasniqi u kostatua thyerje e kockës së kofshës së majtë në 1/3 e mesme e saj, e trajtua pa ndërhyrje kirurgjikale, me imobilizim me gips (allci), pa dëmtime neuro-vaskulare.
Këto dëmtime janë shkaktuar me mjet mbrerës.
Dëmtimet e mësipërme nuk kanë qenë të rrezikshme për jetën, në çastin e shkaktimit dhe si të tilla hyjnë në kategorinë e atyre dëmtimeve që kanë sjellë paaftësi të përkohshme në masën mbi 9 (nëntë) ditë.
Por për të parë nëse kemi elementë të gjymtimit të përhershëm të fëmijës M.K kërkojmë që të paraqitet në I.M.L Tiranë, për një vizitë mjeko-ligjore për një periudhë kohore 3 (tre) mujore nga data e dëmtimit.
Për sa më sipër, në bazë të nenit 287/1 është regjistruar emri i personit nën hetim, Majlinda Dehima, lindur me 06. 07. 1975, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit”, parashikuar nga neni 124/b/1 i Kodit Penal.
Neni 124/b/1 i Kodit Penal parashikon se “Keqtrajtimi fizik ose psikologjik i të miturit nga ... personi që është i detyruar të kujdeset për të, dënohet me burgim nga tre muaj deri në dy vjet”.
Në këto kushte, ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova, procesverbali i këqyrjes së pamjeve filmike, ku duket momenti i thyerjes së këmbës së të miturës, si edhe akti i ekspertimit mjeko-ligjor, se shtetasja Majlinda Dehima, ka konsumuar elementet e veprës penale, parashikuar nga neni 124/b/1 i Kodit Penal.
Kjo e fundit është e dyshuar për paragrafin e parë të kësaj vepre, patur parasysh konkluzionet e aktit të ekspertimt deri në këtë fazë të hetimit, përfundime të cilat do të rivleresohen pas një periudhe tre mujore, për të bërë kualifikimin e saktë të veprës penale.
Vlerësuar sjelljen e personit nën hetim, në lidhje me të miturën, sjellje e cila pasqyrohet në pamjet filmike, vlerësuar pasojën që ka ardhur nga veprimet e saj, thyerjen e kockës së kofshës së një fëmije 3 (tre) vjeçar, si edhe qëndrimin mohues të saj gjatë gjithë hetimit, deri sa është zbuluar nga policia, por edhe faktit se kategoria e dëmtimeve të të miturës do të rivlerësohet pas një periudhe, ndaj këtij personi duhet të caktohet një masë sigurimi me karakter shtrëngues.
Përveç sa më sipër çmojmë se ekzistojnë kushtet dhe kriteret ligjore të parashikuara në nenet 228 e 229 të K.Pr.Penale që ndaj personit nën hetim të caktohet një masë sigurimi me karakter shtrëngues.
-Konkretisht ekziston një dyshim i arsyeshëm i bazuar në prova, të cilat në unitetin e tyre tregojnë se vepra penale ka ndodhur dhe se eshte kryer nga personi i arrestuar. Në lidhje me këtë ngjarje janë sekuestruar provat materiale, janë marrë pamjet filmike, është vendosur kryerja e ekspertimit mjeko-ligjor, etj
-Nuk ka shkaqe padënueshmërie ose të shuarjes së veprës penale, pasi i arrestuari e ka mbushur moshën për përgjegjësi penale dhe nga hetimet e deritanishme rezulton se është i përgjegjshëm para ligjit për veprimet e kryera, si dhe vepra penale nuk është parashkruar apo shuar në ndonjë mënyrë tjetër,
-Ekziston rreziku që personi nën hetim, për shkak të dënimit për veprën, t'i shmanget hetimit.
Përsa i përket kritereve për caktimin e masave të sigurimit, masa e sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, është e përshtatshme me shkallën e nevojave të sigurimit që ekzistojnë në rastin konkret dhe në përputhje me rëndësinë e faktit dhe sanksionit që parashikohet për këtë vepra penale.
Kjo për shkak se veprimet e saj në raport me viktimën e mitur, fakti që dënimi për këtë vepër penale, krim, parashikon vetëm denim me burgim, si edhe se mundësia e rikategorizimit të dëmtimeve të të miturës, mund të çojë në kualifikimin e veprimeve sipas një paragrafi që parashikon një dënim më të rëndë, flet për rrezikshmëri shoqërore të veprimeve të tij, si edhe të faktit se ekziston rreziku që ajo të largohet.