"Fijet" e krimit në Tiranë, shkon në 220 numri i kamerave të çmontuara. 37 në qarkun e Elbasanit

Çmontimi i kamerave të sigurisë që dyshohen që përdoreshin nga eksponentë të krimit të organzizuar ka vijuar në Elbasan dhe në Tiranë. Dhjetëra kamera janë gjetur në rrugët e kryeqytetit duke e çuar numrin total në 220 të tilla. Në të gjithë vendin janë gjetur rreth 442 kamera, ndërsa fenomeni ka marrë përmasa alarmante teksa është zbuluar se pothuajse të gjitha qytetet e vendit kontrolloheshin me imtësi nga krimi.

Çmontimi i kamerave të sigurisë në rrugët e vendit ka vijuar në dy nga qytetet problematike sa i përket krimit.

Policia njoftoi të mërkurën se ka hequr të tjera kamera në kryeqytet, ndërsa aksioni është zhvilluar edhe në Elbasan.

Në Tiranë janë hequr 66 kamera të tjera, duke e çuar numrin e kamerave të gjetura në 220.

Policia gjithashtu njoftoi se ka nisur procedimin për 7 shtetas, duke e çuar numrin e përgjithshëm të procedimeve në Tiranë në 44 persona.

66 kamerat u gjetën në rrugët "Azem Hajdari", "Azem Galica", "Europa", "Sabri Preveza", "Sarina", "Staf Melani", "Ali Kelmendi",.

Gjithashtu policia njoftoi gjetjen e dhjetëra kamerave në Elbasan, Peqin dhe Gramsh.

Deri më tani, në këtë qark, janë çmontuar 37 kamera dhe janë iniciuar hetimet e thelluara për 10 shtetas për vendosjen e këtyre kamerave, në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Konkretisht në Elbasan u çmontuan 28 kamera dhe nisën hetimet për 5 persona.

Në Grash u çmontuan dhe u sekuestruan 4 kamera dhe nisën hetimet për 3 persona, ndërsa në Peqin u gjetën 4 kamera dhe u vunë nën hetim 5 persona.

Deri në këto moment policia e shtetit në të gjithë vendin ka gjetur rreth 442 kamera dhe ka proceduar me dhjetëra persona.

EMISIONET