Video/ Kush janë oficeri i policisë dhe qytetari që 3 vite më parë u kërcënuan me tritol nga i arrestuari sot në Shkodër

Policia e Shkodrës njoftoi mëngjesin e kësaj të shtune se ka arritur të vërë në pranga 32-vjeçarin Dedë Nikaj, si i dyshuari kryesor i Policisë për vendosjen e eksplozivit në shtëpinë e oficerit të policisë Prelë Milani dhe në atë të Zef Bungajës, ngjarje të ndodhura më 4 janar 2020.

Mbi Nikajn rëndojnë dy akuza. Ajo e shkatërrimit të pronës me eksploziv dhe “mbajtja pa leje e armëve luftarake, shpërthyese”.

Dy sulmet e Dedë Nikajt mbrëmjen e 4 janarit

Video/ Kush janë oficeri i policisë dhe qytetari që 3 vite

Brenda një nate, policia e Shkodrës dhe ekspertët u ndanë në dy grupe për shkak të dy ngjarjeve të ndodhura. Kjo pasi dy shpërthime me tritol tronditën Shkodrën gjatë mbrëmjes së 4 janarit.

Shpërthimi i parë ndodhi në banesën e policit Prelë Milani me detyrë shef i stacionit policor në Theth.

Nga shpërthimi nuk pati të lënduar, ndersa vetë Milani sapo kishte dalë nga shtëpia rreth orës 22:45 për të shkuar në punë. Në momentin e shpërthimit në shtëpi gjendeshin bashkëshortja dhe vajza e tij.

Ngjarja u regjistrua në zonën e Zooteknikës, ku sasia e lëndës plasëse e dyshuar si tritol ishte vendosur në pjesën e pasme të banesës, te një barake që përdorej si magazinë nga familja.

Ekspertët e policisë nisën hetimet për këtë ngjarje ku vetë polici Milani ka dyshime se kjo ngjarje mund të ketë ardhur për shkak të detyrës, pasi ai nuk ka konflikte të tjera.

Milani ka mohuar të ketë patur ndonjë presion, kërcënim apo konflikt të drejtpërdrejtë, dhe se nuk ka një ide se cilët mund të jenë autorët.

Vetë polici Milani dyshoi në atë kohë se ngjarja ka ardhur për shkak të detyrës si polici dhe komandant poste në Theth, për shkak të problematikës në kultivimin e drogës.

Shpërthimi i dytë me tritol, pak orë më pas ndodhi në fshatin Grudë e Re tek banesa e shtetasit Zef Bungaja.

Familja Bungaja ishte në gjumë, kur shpërthimi ndodhi rreth orës 01:40 minuta të mesnatës.

Lënda plasëse edhe në këtë rast dyshohet se është tritol. Edhe nga ky shpërthim nuk pati të lënduar në njerëz, ndërsa u shkaktuan vetëm dëme materiale.

Sasia e tritolit u hodh në portën hyrëse dhe menjëherë familja Bungaja pasi ka dëgjuar këtë shpërthim të fuqishëm do të njoftonte policinë.

Familja Bungaja në atë kohë nuk kishte ndonjë dyshim se përse ka ndodhur kjo ngjarje, ndërsa kanë deklaruar se nuk kanë konflikte me persona të tjerë.

 

EMISIONET