Video-Foto/ Shkëlzen Berisha në SPAK
Në Prokurorinë e Posaçme SPAK është paraqitur Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Rreth orës 10.15 djali i ish-kryeministrit, është paraqitur në organin e akuzës ku ka hyrë me një dosje blu në dorë. Fillimisht Shkelzen Berisha ka hyrë nga dera që të çon në Gjykatën e Posaçme por më pas, është orientuar nga gazetarët dhe punonjësit e pranishëm aty, dhe është drejtuar për në zyrat e Prokurorisë.
SPAK ka rihapur dosjen “Gërdeci” dhe javët e fundit ka formuluar akuzë për shpërdorim detyre, për ish-ministrin e mbrojtjes Fatmir Mediu.
Më herët për këtë çështje është marrë në pyetje edhe ish-ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi. Atij i janë kërkuar shpjegime për një dokument që lidhej me vendimet e qeverisë për fabrikën e demontimit në Gërdec, ku ishte vendosur shënimi “për Shkelzenin”.
Bumçi e ka cilësuar këtë dokument si një falsifikim dhe ka pohuar se sqarimet për këtë çështje i ka dhënë në hetimin e parë të dosjes “Gërdeci”.
Megjithatë besohet se pikërisht për shkresën në fjalë prokurorët po i kërkojnë shpjegime Shkelzen Berishës.