Vettingu i politikës në Venecia? Rama fton Bashën: Të vijë në tavolinë dhe ta shpjegojë, nëse kemi interes…

Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë për propozimet e Partisë Demokratike për vettingun e politikanëve. Rama tha se ende nuk është njohur zyrtarisht me iniciativën por shprehu gatishmërinë për tu ulur në tryeze me përfaqësuesit e PD-së.

Kryeministri Edi Rama thotë se është i gatshëm të diskutojë me Kryetarin e Partisë Demokratike propozimet e këtij të fundit për vettingun e politikanëve.

Të mërkurën ai nuk dha një opinion lidhur me këtë iniciativë por tha se pret të ulet në tryezë me përfaqësuesit e PD-së për të përballur argumentet.

Rama: Nuk kam asnjë opinion sot për sot dhe çfarëdo që mund të kem si mendim personal nuk jam i prirur ta ndaj publikisht sepse dua të respektoj parimin që ne jemi të hapur të diskutojmë çdo gjë pa paragjykuar asgjë. Mund të mos na bindë në pamje të parë një gjë që thuhet dhe për të cilën ne nuk dimë gjithçka dhe nuk e kam fjalën për rastin konkret, ulemi dhe diskutojmë, dëgjojmë argumentat, kemi argumentat tona, i ballafaqojmë. Në rast se shohim interes për publikun, për vendin, nuk ka diskutim se nuk ka rëndësi se nga vjen propozimi. Në rast se nuk shohim interes nuk ka diskutim që do të themi nuk e pranojmë këtë propozim dhe kaq. Por nuk kam opinion sot sepse nuk bëhet dialogu në televizor me mikrofonat përpara, bëhet në tavolinë. Të vijnë në tavolinë të ulen, të na shpjegojnë këtë punë, do ti dëgjojmë, do mbajmë shënime, do analizojmë,do të japim opinionin tonë dhe do jetë për të gjithnjë.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit sugjeroi sot që për vettingun e politikanëve të kërkohet opinioni i Komisionit të Venecias.

Rama nuk dha një përgjigje të qartë nëse do të ndjekë këtë rrugë pasi të shqyrtojë propozimin e PD-së.

Në 2018 Rama e rrëzoi vettingun në politikë por u shpreh se këtë herë argumentet e opozitës mund të jenë bindëse.

Rama: Nuk kam shprehur opinion të drejtpërdrejtë për të respektuar një parim që kemi vendosur vetë, që jemi të hapur të diskutojmë çdo gjë, do ulemi me vullnet të mirë, do dëgjojmë argumentet. Në 2018 ka pasur një propozim, ai është konsideruar jo bindës, nuk dimë gjë për propozimin e ri. Janë 3 vjet, gjërat evoluojnë, nëse ka argumente bindës do bëjmë më të mirën.Nëse nuk ka argumenta bindës ne prapë do të bëjmë më të mirën.

Lidhur me helmimin e afro 500 qytetarëve në Krujë nga ujësjellësi i inauguruar pak muaj më parë nga vetë ai, kryeministri ja kalon përgjegjësinë ndërrmarjes së ujësjellësit.

Një koment Rama e kishte edhe për përplasjet brenda Partisë Demokratike.

Rama: Nuk kam asnjë koment lidhur me çfarë ndodh në fushën e PD-së por di t'ju them se nëse do të ishin mbledhur humoristët dhe satiristët e gjithë këtij vendi që të shkruanin një pjesë me shumë seri për sesi PD mund të katandiste në një objekt keqardhje por edhe humori të zi është ajo që po ndodh sot në PD.

Deklaratat Kryeministri i bëri pas takimit me drejtuesit e qarqeve në selinë e Partisë Socialiste nga ku tha se u diskutua për çështjet organizative të forcës politike që drejton.

EMISIONET