Vetingu i politikanëve, KSHH këshillon Kuvendin t'i drejtohet Komisionit të Venecias

Vetingu i politikanëve, KSHH këshillon Kuvendin t'i drejtohet

Komiteti shqiptar i Helsinkit me anë të një deklarate njofton se është njohur me kërkesat e depozituara nga opozita në Kuvend për ndryshimet Kushtetuese.

Megjithatë në deklaratë thuhet se Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ende nuk është njohur me projektin zyrtar të këtyre ndryshimeve si dhe me relacionet përkatëse. Por, duke vlerësuar se ndryshimet kanë të bëjnë me Kushtetutën që është ligji themeltar, KShH shprehet se ndryshimet në Kushtetutë nuk janë tabu, por ato duhet të jenë të rralla, të studiuara, të domosdoshme dhe në përputhje me dokumentet dhe standardet ndërkombëtare.

"Në mënyrë të veçantë, ato duhet të respektojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, parimet e shtetit të së drejtës si dhe nuk duhet të diktohen nga interesa apo marrëveshje ngushtësisht të natyrës politike, por duhet të kenë si kryefjalë interesin publik," thuhet në deklaratë.

KShH shprehet se ndryshimet kushtetuese duhet t'i nënshtrohen diskutimeve dhe debateve të plota si dhe të evitohen prirjet e nxitimit që janë konstatuar si nga OSBE/ODIHR dhe nga Komisioni i Venecias.

Për sa i përket ndarjes administrative- territoriale të njësive të qeverisjes vendore që në vitin 2015 u parashikua me ligj, KShH sugjeron që të mbështetet në studime paraprake objektive dhe të plota në mënyrë që të evidentojë avantazhet dhe disavantazhet e ndarjes ekzistuese. Në deklaratë theksohet se është e rëndësishme që të zbatohet kërkesa e nenit 108, pika 2 e Kushtetutës që kufijtë të mos ndryshohen “pa marrë më parë mendimin e popullsisë që banon atje”.

Është propozuar gjithashtu që pas nenit 176 të Kushtetutës të shtohet pjesa e gjashtëmbëdhjetë, titulluar “Mekanizmi i garantimit të integritetit të figurës së funksionarëve publikë”.

KShH sugjeron që Kuvendi të kërkojë opinionin e Komisionit të Venecias, siç është vepruar edhe me ligjin e “Dekriminalizimit”, draft amendamentet për ndryshimin e Kushtetutës për reformën në drejtësi, të cilat u miratuan në vitin 2016, etj.

Më tej thuhet se për shtyrjen e mandatit të anëtarëve të dy organeve të vettingut, përkatësisht të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerëve Publikë (sidomos për sa i përket afatit të shtyrjes), KShH mendon se konsultimi së pari me përfaqësues të këtyre institucioneve ka rëndësi të veçantë, por gjithashtu është e nevojshme konsultimi edhe me ekspertë konsititucionalistë dhe të fushës së drejtësisë, pedagogë të Fakulteteve të Drejtësisë në vendin tonë, organizata të shoqërisë civile që kanë monitoruar zbatimin e reformës në drejtësi, organizatat ndërkombëtare në vend, etj.

Në përfundim KShH thekson rëndësinë e kontributit në fushën e legjislacionit  në të gjitha rastet kur ai i ka shërbyer konsolidimit të shtetit të së drejtës, respektimit dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut, reformës në drejtësi, intensifikimit të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe integrimit të vendit tonë në familjen Evropiane.

EMISIONET