Vala e të nxehtit, Xhengo: Shqipëria ende jashtë alarmit, por rreziku nga temperaturat mbetet i lartë!

Edhe pse temperaturat në vend kanë shënuar rritje të ndjeshme ditët e fundit, Shqipëria nuk ndodhet ende në kushtet e një vale të nxehti sipas kritereve ndërkombëtare. Kështu u shpreh Fatos Xhengo, Koordinator i Programit për Raste Katastrofash në Kryqin e Kuq Shqiptar, në një intervistë për “Ora News”, ku foli për situatën klimatike dhe masat parandaluese që po ndërmerren.

Xhengo sqaroi se shpallja e një vale të nxehti nuk bazohet vetëm te temperaturat maksimale gjatë ditës, por edhe te ato të natës, niveli i lagështisë, dendësia e popullsisë dhe faktorë të tjerë mjedisorë që analizohen sipas metodologjive të Qendrës Globale dhe Qendrës Evropiane të Parashikimit. Sipas tij, aktualisht fenomeni është më i theksuar në vendet e Evropës Perëndimore, ndërsa në Shqipëri temperaturat janë të larta, por ende nuk plotësojnë kriteret për shpalljen e një vale të nxehti.

Koordinatori i Kryqit të Kuq bëri të ditur se institucioni ka nisur një fushatë sensibilizuese për të mbrojtur qytetarët nga efektet e temperaturave të larta. Në bashkëpunim me Federatën Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, po zbatohet projekti për veprim të hershëm ndaj valëve të të nxehtit në Shqipëri, ndërsa monitorimi i situatës kryhet në bashkëpunim me Institutin e Gjeoshkencës, i cili ofron parashikime 10-ditore sipas standardeve evropiane.

Xhengo theksoi se Kryqi i Kuq bashkëpunon ngushtë edhe me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Institutin e Shëndetit Publik për shpërndarjen e mesazheve ndërgjegjësuese. Për këtë qëllim janë ngritur ekipe të lëvizshme vullnetarësh në Tiranë, Elbasan dhe Berat, të cilat informojnë qytetarët mbi mënyrat e mbrojtjes nga temperaturat e larta.

Sipas tij, vëmendje e veçantë i kushtohet grupeve më të rrezikuara, si të moshuarit mbi 60 vjeç, personat me sëmundje kardiovaskulare, fëmijët, gratë shtatzëna, si dhe punonjësit që ushtrojnë aktivitetin e tyre në ambiente të hapura nën rrezet e diellit.

Në përfundim, Xhengo u bëri thirrje qytetarëve të ndjekin këshillat e autoriteteve shëndetësore, të shmangin ekspozimin në orët më të nxehta të ditës dhe të tregojnë kujdes të shtuar ndaj personave më vulnerabël, ndërsa institucionet vijojnë monitorimin e situatës për çdo zhvillim të mundshëm.

Fatos Xhengo: Këto ditë pra temperatura maksimale, temperatura më e lartë gjatë natës, sepse është një tregues shumë i rëndësishëm që ndikon dhe impakton shumë shëndetin, sidomos temperatura maksimale e lartë gjatë natës. Ka matje të treguesve të tjerë, të lagështirës dhe të densitetit dhe të asaj fenomenit që themi nëpër fenomenit i serrë që është nëpër ambientet ku ka dendësi të madhe popullsie.

Pra, një mori faktorësh analizohen dhe mbi bazën e një metodologjie të caktuar nga qendra globale e parashikimit ashtu dhe qendra evropiane, parashikohet dhe deklarohet vala e të nxehtit. Aktualisht, aktualisht në vendin tonë nuk jemi në këtë situatë, pra që të deklarohet vala e të nxehtit.

Një situatë e tillë siç po e kemi, siç po e shikojmë dhe siç po e ndjekim të gjithë, është ende në shtetet e Evropës perëndimore, duke kombinuar këtë dhe me atë fenomenin e El Ninjo që ka impaktuar këto vende, por ende në vendin tonë nuk jemi në stinën e asaj që quhet vala e nxehtë, si faktor që e deklarojnë institucionet. Por gjithsesi temperaturat siç i shikojmë të tërë, siç po i përjetojmë këto ditë, janë goxha të larta, janë goxha të larta dhe impaktojnë komunitetin.

Saktë fare, domethënë është Kryqi i Kuq Shqiptar si institucion dhe si shoqatë humanitare që vepron në mbrojtje të shëndetit të njerëzve, ka rol dhe për mision edhe në këtë fushë pra. Dhe misioni jonë dhe roli jonë është si të mund të ndërgjegjësojmë dhe të sensibilizojmë komunitetet, veçanërisht ato grupet më të prekura, grupet më target, në mënyrë që me disa këshilla të thjeshta dhe me disa njohuri që shpërndahen tek këta, ata veprojnë vetë në kushtet e shtëpisë apo në kushtet e ambientit ku ata jetojnë në mënyrë që të parandalojnë, të parandalojnë më tej ndonjë impakt që kjo temperaturë dhe temperaturat e larta pra sjellin në shëndetin e njerëzve.

Dhe si i tillë ne jemi në këtë fazë aktualisht, siç e thatë pra ju, jemi në këtë fazë ku Kryqi i Kuq Shqiptar me mbështetjen e Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, jemi në fazën e zbatimit të një projekti të tillë që quhet "Simplified early action protocol for heat ëave in Albania", domethënë e thashë anglisht po do të thotë që të veprojmë në paralajmërim të hershëm për sa i përket valëve të të nxehtit në Shqipëri.

Dhe si të tillë neve po operojmë, bashkëpunojmë me Institutin e Gjeoshkencës që jep parashikimin dhjetë ditor sipas standardeve evropiane dhe që e ndjek dhe e monitoron atë për të deklaruar valët e të nxehtit.

Me mbrojtjen civile, me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile. Dy institucionet që janë të afërta me ne, ashtu dhe Instituti i Shëndetit Publik, duhet thënë dhe Instituti i Shëndetit Publik, që duke monitoruar situatën neve kemi filluar në atë që quhet "aëareness community", pra shpërndarje mesazhesh të cilat filluan me fletëpalosje, por jo vetëm me fletëpalosje. Në disa degë kryesore ne kemi ngritur grupe vullnetarësh që i kemi trajnuar për këtë situatë dhe i quajmë ekipe të lëvizshme, dhe kemi identifikuar kategoritë më të prekshme që normalisht janë, siç e thatë, moshat e treta mbi 60 vjeç, por që kanë dhe sëmundje kardiake apo kardiovaskulare të ndryshme domethënë, që e rëndojnë normalitetin e tyre.

Janë fëmijët, janë nënat, gratë shtatzëna dhe të gjithë njerëzit e tjerë që në një mënyrë apo në një tjetër ndodhen të punojnë në kushte "outside", si i thonë, pra punëtorët e ndërtimit dhe njerëzit e tjerë që pavarësisht të nxehtit, puna e tyre e dikton që të jenë nën rrezet e diellit. Pra, për këto kategori sociale neve kemi filluar një shpërndarje mesazhesh me këto ekipe që ju thashë, pra ekipet e lëvizshme që kemi ngritur në Tiranë, Elbasan dhe Berat, pra tre bashkitë më kryesore, dhe ku normalisht kemi identifikuar edhe i kemi pyetur.

EMISIONET