“Unë i vrava të dy, po shkoj të...”/ Gruaja po shiste në tregun e fruta-perimeve, ja si ia dha lajmin për vrasjet e kryera autori në Roskovec
Vijojnë të dalin të tjera detaje nga ngjarja e rëndë e ndodhur sot në Roskovec nga ku mësohet se autori i dyshuar i vrasjes së dyfishtë, Altin Kuka, e ka lënë armën tip kallashnikov në vendin e ngjarjes dhe ka shkuar tek bashkëshortja e tij, e cila po shiste në një treg të fruta-perimeve. Bëhet me dije se Kuka i është drejtuar gruas me fjalët “unë i vrava të dy, po shkoj të dorëzohem në polici”.
Kuka e ka pranuar para policisë autorësinë e vrasjes së Gramos dhe Lavdimir Kurtaj. Sipas informacioneve paraprake, ka qenë një sherr mes fëmijëve që është bërë shkak për vrasjen e dyfishtë.
Të shtënat ndodhën në një lokal të fshatit, ku Altin Kuka shkoi bashkë me të birin 21-vjeçar “për t’u sqaruar”. Zanafilla, të paktën sipas të dhënave të deritanishme, dyshohet të ketë qenë një sherr i ndodhur mes djalit të autorit të dyshuar dhe djalit të njërit prej viktimave, Gramos Kurtajt.