Partizani bën afrimin e parë, prezantohet sulmuesi

Partizani ka zyrtarizuar afrimin e sulmuesit anësor Altin Aliu, duke realizuar kështu goditjen e parë në këtë merkato të verës.
Sulmuesi 26-vjeçar nga Gjilani ka nënshkruar një kontratë njëvjeçare me opsion rinovimi edhe për një tjetër edicion me klubin kryeqytetas.
Për shërbimet e ish-futbollistit të Malishevës shprehën interesim edhe klube të tjera të Superiores si Elbasani dhe Vllaznia, por lojtari zgjodhi t'i bashkohej të kuqve.
Gjatë sezonit të kaluar në kampionatin e Kosovës, Aliu spikati me Malishevën duke regjistruar 8 gola dhe 3 asistime.
Ky kalim te kryeqytetasit shënon edhe përvojën e tij të parë në kampionatin shqiptar të futbollit. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, futbollisti do të udhëtojë drejt Pogradecit për t'u bashkuar me grupin e lojtarëve në fazën përgatitore. Atje ai do të vendoset menjëherë nën udhëheqjen e trajnerit Florin Bratu për të nisur stërvitjen.

