RODRI, OPERACION PAS BOTËRORIT , Maresca pa afat për rikthimin e tij , mohon zërat për kalimin e tij te Real Madridi

Rodri do t’i nënshtrohet një operacioni në shpinë pas triumfit me Spanjën në Kupën e Botës. Lajmin e konfirmoi trajneri i Manchester Cityt, Enzo Maresca, i cili bëri të ditur se ndërhyrja kirurgjikale do të kryhet të hënën, pa dhënë një afat për rikthimin e mesfushorit në fushë.
30-vjeçari udhëhoqi Spanjën drejt titullit botëror pas fitores 1-0 ndaj Argjentinës në finale, ndërsa u shpall edhe lojtari më i mirë i turneut, duke fituar “Topin e Artë” të Botërorit.
Pas suksesit me kombëtaren, Rodri do të nisë një periudhë rehabilitimi për shkak të problemeve në shpinë. Dy sezonet e fundit kanë qenë të vështira për mesfushorin, i cili më herët vuajti edhe një dëmtim të rëndë në ligamentin e gjurit.
Maresca konfirmoi se pret rikthimin e tij pas përfundimit të rehabilitimit dhe hodhi poshtë zërat që e lidhin spanjollin me një transferim te Real Madridi.
“Rreth lojtarëve të mëdhenj ka gjithmonë spekulime. Çdo trajner do të dëshironte ta kishte Rodrin, pasi është një futbollist i nivelit të lartë”, u shpreh tekniku italian.
Mungesa e Rodrit pritet të jetë një goditje për Manchester Cityn në nisje të sezonit të ri, me “Qytetarët” që do të përballen me Arsenalin në “Community Shield” më 16 gusht.

