Tymuese e shtyrje me policët/ Shoqërohen tre protestues, Bylykbashi e Baçi: Rama do të trembë mbështetësit

Tre protestues të opozitës u shoqëruan nga policia pas tubimit të mbajtur para kryeministrisë. Ata akuzohen për hedhjen e mjeteve tymuese dhe goditjen e punonjësve të policisë. Ndërkaq deputetët e PD, vizituan qytetarët e shoqëruar në polici dhe thanë se arrestimet janë bërë me urdhër politik për të trembur mbështetësit e opozitës.

Incidentet me tymuese tek kryeministria u bënë shkak për shoqërimin e tre protestuesve të opozitës nga policia.

Dy prej personave pjesëmarrës në tubim u dërguan në komisariatin nr.2 ndërsa i treti në komisariatin nr.1.

Përveç hedhjes së mjeteve piroteknike e tymuese, protestuesit akuzohen edhe për goditjen e punonjësve të policisë.

Deputetët Albana Vokshi dhe Oerd Bylykbashi shkuan menjëherë në komisariatin nr.1 të policisë, ku i cilësuan shoqërimet e protestuesve si të paligjshme dhe nënvizuan se protesta ishte tërësisht paqësore. 

Bylykbashi: Erdhëm në vijim të njoftimit që kemi për shoqërimet që janë bërë nga policia. Jeni dëshmitarë të një proteste madhështore të opozitës që dha mesazhe të jashtëzakonshme,një protestë paqësore por e qartë se nga sot e tutje fillon revolucioni demokratik që do të çojë në rrëzimin e Edi Ramës. Askush nuk mund të ndalojë protestuesit shqiptarë të kërkojnë të drejtën e tyre më themelore që me votë të rrëzojë një qeveri e cila i vjedh.

Deputeti Luan Baçi pasi vizitoi të ndaluarit në komisariatin 2, tha se Edi Rama po synon të trembë mbështetësit e opozitës.

Baçi: Përsëri policia gjen shkaqe, sebepe për të bërë ndalesa dhe për të frikësuar protestuesit, qytetarët se e dinë mirë që kjo ishte protesta e parë, sipari i protestave, do të ketë një valë protestash të pandalshme. Këtë e bëjnë si shantazh dhe presion ndaj qytetarëve dhe protestuesve duke i ndaluar dhe pa shkak fare për tu dhënë mesazh që mos të jenë pjesëmarrës në protestat e tjera të radhës. Ne do vazhdojmë procedurat, do jemi në ndjekje të rasteve me avokaten Kalaja.

Për mbarëvajtjen e tubimit të thirrur nga opozita, policia e shtetit angazhoi më shumë se 1 mijë efektiva përgjatë gjithë itinerarit të lëvizjes së protestuesve.

Tymuese e shtyrje me policët/ Shoqërohen tre protestues, Bylykbashi e

protesta e opozites

EMISIONET