Shtohen vrasjet mafioze, në 24 atentate gjatë këtij viti, 9 nga krimi i organizuar

Shqipëria është tronditur vitet e muajt e fundit nga një seri vrasjesh gjithnjë e më të sofistikuara ndërkohë që policia mbrohet me shifrat që tregojnë më pak krime ndaj jetës sesa 5 apo 10 vite më parë.  

Nga fillimi i vitit 2021 dhe deri në muajin maj janë regjistruar 24 vrasje, ku sipas policisë  9 prej tyre janë cilësuar si krime mafioze. Më 1 janar Klajdi Shundi qëlloi më thikë Vladimir Zvezhden duke e lënë të vdekur në vend në hyrje të banesës së tij, pasi kishin festuar ndërrimin e viteve.

Ekzekutimi i parë i tipit mafioz ndodhi në Durrës me 24 janar. Edmir Bregu i njohur ndryshe edhe si Ilir Kuci u bë shoshë nga plumbat ende pa autor. Ngjarja dyshohet se ka shkak prishjen e pazareve të drogës, ndërsa viktima ka lëvizur disa herë drejt Italisë. Një tjetër krim tronditës ishte ekzekutimi në qendër të Tiranës së Behar Sofisë. E gjithë skema ishte e mirë menduar dukë studiuar çdo lëvizje të viktimës deri në finalizimin e vrasjes.

Policia si autorë për këtë ngjarje ka arrestuar Ernejt Shyti dhe tre bashkëpunëtorët e tij Skënder Vathi, Leonar Xhixha dhe Xhuljano Visha. Ndërkohë një tjetër krim mafioz tronditi Durrësin. Ish anëtari i bandës së këtij qyteti i njohur Edmond Koci, i njohur me nofkën Mond Çekiçi, u ekzekutua mëngjesin e 20 marsit ndërkohë që ngjarja ka mbetur pa autor. Mbrëmjen e 4 prillit, në Shkodër u vra Bardhok Pllanaj, 46 vjeç i cilësuar si një nga të paprekshmit e qytetit.

Ngjarja vijon të jetë e pa zbardhur ndërkohë që autorët kishin përdorur disa armë e automjete. Në kulmin e fushatës elektorale më 21 prill në Elbasan u ekzekutua Pjerin Xhuvani, eksponent I PS dhe plagosen 4 persona të tjerë përfshirë edhe një oficere policie.

40 vjeçari Bledar Birçaj, pronari i një lokali të njohur në Vlorë, po shëtiste me një oficer të antidrogës në makinën e tij kur u qëllua me breshëri armësh duke mbetur I vdekur në vend në lagjen “Hajro Çakërri”. Kamerat e sigurisë fiksuan ngjarjen por autorët ikën të qetë pa u shqetësuar.

Dy vrasjet e fundit në këtë serial krimesh të rënda janë ajo e Mehmet Qemës në Tiranë për motive të çastit dhe atentati ndaj Everest Çakës në Elbasan, një krim që mendohet se ka lidhje me larjen e hesapeve për disa ekzekutime në Elbasan dhe trafiqe droge.

EMISIONET