SHQIPTARËT “I LË” ZËMRA/ Sëmundjet kardiovaskulare mbeten shkaku kryesor i vd*kjeve në vend
Sëmundjet e zemrës ishin shkaku kryesor i vdekjeve në Shqipëri gjatë vitit 2025. Më pas renditen kanceri dhe aksidentet.
Sëmundjet kronike të zemrës vijojnë të mbeten shkaku kryesor i vdekjeve në Shqipëri.
Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2025, sëmundjet e qarkullimit të gjakut përbënin 42.2% të të gjitha rasteve të vdekjeve, ndërsa në vitin 2024 ato përfaqësonin 39% të vdekjeve natyrale.
Pas sëmundjeve të zemrës, kanceri mbetet shkaku i dytë kryesor i humbjes së jetës, me 15.2% të rasteve, një nivel i pandryshuar krahasuar me një vit më parë.
Më të përhapura rezultojnë sëmundjet tumorale të aparatit tretës, ndërsa meshkujt janë prekur më shumë se femrat.
Rritje kanë shënuar edhe vdekjet si pasojë e aksidenteve. Gjatë vitit 2025 ato përbënin 2.2% të rasteve, nga 1.9% që ishin në vitin 2024.
Të dhënat tregojnë gjithashtu dallime sipas grupmoshave. Te fëmijët, shkaku kryesor i vdekjeve mbeten komplikimet e lidhura me lindjen, ndërsa te të rinjtë dominojnë dëmtimet fizike dhe helmimet. Për moshat e treta, sëmundjet ishin shkaku kryesor i humbjes së jetës, duke përbërë 72.9% të rasteve.
Sipas INSTAT, femrat kanë një jetëgjatësi më të lartë se meshkujt, ndërsa vdekjet të lidhura me pleqërinë rezultojnë më të shpeshta tek ato.
Gjatë vitit 2025, në Shqipëri u regjistruan gjithsej 21.394 vdekje, ose 3.2% më pak krahasuar me vitin 2024.
