Shqiptarët mes sulmeve iraniane në Izrael, Stein: Ishte si një “Star War”, dronët dhe raketat shikoheshin me sy të lirë
Dhe ndërsa tensionet në rajon sa vijnë e shtohen dhe situata bëhet më e rrezikshme, shqiptaro-izraelitja Irene Stein, në studion e lajmeve në “Ora News”, rrëfeu nga Izraeli përjetimet e asaj që ndodhi mbrëmjen e së shtunës, ku Irani vendosi të hakmerret për diplomatin e saj që u sulmua nga trupat izraelite në ambasadën në Siri.
“Të shtunën u nisën nga Irani dronët dhe raketat drejt Izraelit dhe na sulmuan për 9 orë. Sulmet me raketa shikoheshin me sy të lirë, por jeta vazhdonte normalisht, por vetëm kur dëgjoheshin sirenat e alarmit na u desh të merreshim me sigurinë tonë. Kur dëgjojmë sirenat jemi të detyruar të futemi në dhomat e sigurisë.
Unë personalisht shkova për të fjetur sepse kam besim tek ushtria izraelite. Në orën 8 të darkës filluan sirenat në vend pasi erdhën shumë raketa dhe dronë, dhe për pak minuta gjithçka mbaroi. Ishte një “Star War”, një luftë yjesh pasi gjithçka ndodhi në ajër, dhe nuk pati pasoja në tokë”, u shpreh shqiptarja nga Izraeli, Irene Stein.
SHQIPTARË TË BLLOKUAR NË IZRAEL
Një delegacion me operatorë turistike dhe zyrtarë të Ministrisë së Turizmit nga Shqipëria u bllokuan në Izrael pas sulmeve të Iranit krahas bashkatdhetarëve që jetojnë e punojnë atje!
Ata ndodheshin atje për një aktivitet me qëllime promovimin e bashkëpunimit në turizëm, por u gjenden dëshmitarë dhe përjetuan aktin e paprecedentë nga Teherani.
Veç dramës, fatmirësisht asnjë nga anëtarët e delegacionit nuk pësuar, dëmtime, sikurse deri më tani nuk ka konfirmime për të lënduar mes shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Izrael.
Këta të fundit këshillohen që të qëndrojnë në kontakt me ambasadën përmes numrave të kontaktit dhe të ndjekin e të zbatojnë udhëzimet e sigurisë, të bëra publike së fundmi nga autoritetet vendase.
REAGIMI I TIRANËS ZYRTARE
Tirana zyrtare ndërkohë u rendit krah partnerëve dhe aleatëve perëndimore duke dënuar sulmin e paprecedent të Iranit kundër Izraelit!
Kryeministri Edi Rama në një reagim në rrjetin social X, e cilësoi një kërcënim për të destabilizuar Lindjen e Mesme në mënyrë të pakthyeshme.
Kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama shprehu mbështetje ndaj aleatëve në përpjekjen për depërshkallëzimin e situatës, duke theksuar armëpushimin në Gaza dhe lirimin e pengjeve si një mekanizëm.
“Shqipëria dënon me forcë sulmin e paprecedentë të nisur nga Irani kundër Izraelit, i cili përbën një kërcënim për destabilizimin e rajonit në mënyrë të pakthyeshme. Ne qëndrojmë në solidaritet me popullin izraelit dhe mbështesim plotësisht përpjekjet e partnerëve tanë drejt de-përshkallëzimit”, u shpreh Rama.
Shqipëria kërkon vetëpërmbajtjen e palëve dhe thekson nevojën kritike për një armëpushim në Gaza, duke u siguruar që të gjithë pengjet të kthehen të sigurt në shtëpi.
Të njëjtën linjë mbajti dhe Presidenti i vendit Bajram Begaj i cili u shpreh se shpreson në shmangien e këtij konflikti, ndërsa theksoi edhe pasojat në një shkallë më të gjerë që mund të shkaktojë përshkallëzimi i situatës në Lindjen e Mesme.
Kryediplomati Igli Hasani, në reagimin e tij i rikujtoi shqiptarëve që banojnë në Izrael hapat që duhet të ndjekin në raste rreziku, ndërsa u shpreh se ky sulm mund të sjellë dhe shkatërrim të paqes në Lindjen e mesme.





