Zjarri shkrumbon shtëpinë, kryefamiljari betejë më flakët por mundi të shpëtojë vetëm veten dhe të shoqen.
Një shtëpi në fshatin Thanë të Lushnjes, u shkrumbua nga flakët gjatë natës. Kryefamiljari tregon se si arrit të shpëtonte bashkë me të shoqen, por tani ka mbetur i pastrehë.
Një zjarr i rënë në banesë, pas mesnatës, la në qiell të hapur, në këtë të ftohtë dimri, familjen Korraqe, në fshatin Thanë, të Njësisë Administrative Fier Shegan, në Lushnje.
Flakët përfshinë shtëpinë rreth orës 2 të mëngjesit, ku sipas të dhënave paraprake dyshohet se ka ndodhur si pasojë e një shkëndije elektrike.
Kryefamiljari Elmaz Korraqe, deklaroi lidhur me ngjarjen se ai fillimisht ndjeu një zhurmë dhe më pas shkoi për të parë se çfarë po ndodhte, teksa në momentin që ka hapur derën e dhomës, vuri re zjarrin dhe tymin.
"Në orën 1:50, ndjeva një zhurëm, ishim në gjumë. Mendova mos bëri frigoriferi kur stakohet, u shqetësova dhe u ngrita, në momentin që hapa derën, shohë që nga dhoma tjetër vinte tym, u çua dhe bashkëshortja, hapëm dyert dhe flaka u shpërnda," tha ai.
Në banesë gjithçka është rrënuar dhe shkrumbuar nga flakët, dhe nuk ka mbetur më asgjë.
Zjarrfikësja bëri të mundur shuarjen e flakëve, por në banesën e familjes Korraqe, nuk mbeti më asgjë.
Sipas kryefamiljarit, ai nuk i ka mundësitë financiare për të ndërtuar një shtëpi të re, pasi të gjitha kursimet e jetës, i shpenzoi në shtëpinë që iu dogj.
Grupi Hetimor dhe ekspert të OSSHE-së, po hetojnë, për mësimin e shkaqeve të rënies së zjarrit, i cili paraprakisht dyshohet për një shkëndijë elektrike.