Shamku: Nëse ndryshohet ligji për Akademinë e Shkencave bëhet për Gjinushin
Në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar së fundmi projektligji për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë, i cili parashikon rizgjedhjen e kryetarit aktual Skënder Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave me një mandat të dytë radhazi.
Gjuhëtarja Ledi Shamku, e ftuar në "Ora e Betit" thotë se ka besim që ish-kolegët e saj në Kuvend nuk do të ndryshojnë ligjin për një njeri.
Shamku: Nuk e besoj që ish-kolegët e mi do të shkelin etikën parlamentare deri në këtë pikë. E kam vështirë të besoj që një trupë kolegësh të çohet dhe të miratojë një ligj për një njeri, do të ishte një aventurë e keqe, një ligj me flamur të kuq. Nëse ligji qëndron si është Gjinushit i bie e drejta e rikandidimit sepse ligji thotë dy mandate por jo radhazi. Nëse ligji ndryshohet tani ndryshohet për një njeri. Unë jam për rregullin e forcën ndryshuese, bërë një mandat mendo çfarë mund të ofrosh pasi të ketë kaluar mandati i tjetrit. Akademia e Shkencave është një institucion që vetëm reformë nuk ka pasur. Është institucion honorifik.Nuk bën kërkim shkencor por ka tagrin të tërheqë vëmendjen e shkencës për probleme të mëdha kombëtare dhe ne kemi probleme kombëtare që nga vrasja e grave, shpyllëzimi, shfrytëzimi i lumenjve, ikjet masive, marrëdhëniet me Ballkanin.

