Në skemën e pastrimit të parave të “Cosa Nostras”. Rezart Taçi në kërkim ndërkombëtar. Arrestohet kunati dhe truproja e tij. Sekuestrohen 18 milionë euro

Prokuroria e Posaçme SPAK thotë se Biznesmeni Rezart Taçi, rezulton të jetë përfshirë në një skemë komplekse financiare ndërkombëtare të pastrimit të parave të ardhura nga veprimtari kriminale dhe e shtrirë në disa shtete.

Sipas SPAK janë mbledhur prova se skema financiare drejtohej nga sipërmarrësi italian Francesco Zummo, djali i tij Ignazio Zummo në bashkëpunim me biznesmenin Italian Fabio Petruzzella, një shtetas zviceran me origjinë italiane Daniele Castagalli dhe Rezart Taçi, i përfshirë në biznese në sektorin e naftës.

Në funksion të kryerjes së kësaj veprimtarie Rezat Taçi thuhet se kishte angazhuar personat e vet të besuar, rezidentë në Shqipëri, konkretisht Artur Balla, kunatin e tij dhe Bledar Lilo, truproja e tij informon SPAK. Këta të fundit u arrestuan sot (12 nentor 2021).

"Janë siguruar dhe janë mbledhur prova konkrete, nga të cilat janë krijuar dyshime të arsyeshme për organizimin dhe funksionimin e një operacioni kompleks financiar ndërkombëtar të kundërligjshëm, të shtrirë në disa shtete të ndryshme, që ka pasur si qëllim “pastrimin” e një shume monetare të konsiderueshme që përbën produkt të veprimtarisë kriminale" informoi sot SPAK.

Transaksionet bankare në Shqipëri

Skema financiare kishte të bënte edhe me transaksione bankare të cilat transferoheshin në Shqipë dhe më pas vijonin në shtete të tjera. Këto transaksione bëheshin nga një bankë e nivelit të dytë në Shqipëri kundrejt premtimit për marrjen e përqindjes së caktuar të përfitimit monetar. 

"Pjesë e kësaj skeme financiare, me ndihmën e shtetasve shqiptarë të përfshirë, ka qenë edhe kryerja e disa veprimeve dhe transaksioneve bankare në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, veprime të cilat janë realizuar vetëm pjesërisht dhe nuk është arritur që të realizohen plotësisht, për shkak të veprimeve hetimore të kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Gjatë hetimeve janë mbledhur prova se ndihma në këtë rast për transferimin dhe fshehjen e shumës monetare është bërë kundrejt premtimit për marrjen e përqindjes së caktuar të përfitimit monetar, në raport me shumën monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vende të tjera" thuhet në njoftimin e SPAK.

18 milione euro

Operacioni i cili u ndërmor në bashkëpunim dhe në koordinim me Drejtorinë Distrektuale Antimafia në Prokurorinë e Republikës në Gjykatën e Palermos, Itali çoi dhe në sekuestrimin e mbi 18 milionë eurove e cila do do të transferohej nga Shqipëria përmes një banke të nivelit të dytë në një bankë tjetër.

"Gjatë hetimeve paraprake të kryera lidhur me këtë procedim penal është vendosur masa e sekuestrimit për shumën monetare prej 18,399,941.50 (tetëmbëdhjetë milion, e treqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë, e nëntëqind e dyzet e një, pikë pesëdhjetë) Euro" informoi sot SPAK përmes një njoftimi për shtyp.

Ndërkohë prokuroria italiane deklaron se janë sekuestruar 20 milionë euro


Biznesmeni me miliona euro ne Shqiperi

RTV ORA e Ora News siguroi dokumentin e Prokurorës së Antimafias së Palermos ku thuhet se milionat ishin për llogari të sipërmarrësit Francesco Zummo, 90 vjeç i konsideruar sipërmarrës lokal në dispozicion të mafias siciliane Cosa Nostra qysh në kohën e Totto Riinas e Bernardo Provenzanos e i akuzuar për riciklim parash në sektorin e ndërtimit.

Sipërmarrësit italian Francesco Zumma i janë sekuestruar rreth 20 milionë euro në një bankë të Tiranës e 30 milionë të tjera të mira materiale.  

Sipas Prokurorisë së Palermos,"SPAK shqiptar ka çuar në arrestimin e disa shtetasve shqiptarë të lidhur me pastrimin e 20 milionëve euro në Shqipëri për llogari të mafias Cosa Nostra siciliane e të sekuestruar sot nga kjo Prokurori"

Vendimi në gjykate

Më 7 nëntor 2021 me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë vendosi masën e sigurisë "arrest me burg" për Rezart Taçin, Artur Ballën e Bledar Lilon si të dyshuar për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga neni 287, paragrafi (1), shkronjat (a), (b) e (dh), si dhe nenet 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.    

Arrestimet

Më 12 nëntor policia e shtetit arrestoi  Artur Ballën e Bledar Lilon, ndërsa shpalli në kërkim Rezart Taçin. SPAK njofton se hetimet paraprake për këtë procedim penal janë në vazhdim e sipër dhe ende nuk kanë përfunduar.

Pjesëtarët e skemës

Në kërkim - Rezart Taçi

Të arrestuar në Tiranë - Artur Balla, kunati i Rezart Taçit. Bledar Lilo, ish truproja personale

Në arrest shtëpie - -Francesco Zummo, 90 vjeç, sipërmarrës italian

I arrestuar - Fabio Petruzzella , vëllai i një magjistrati të Palermos.

I përfshirë në skemë edhe shtetasi italian Daniele Castagalli

Procedimi penal

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, mbi bazën e informacioneve dhe verifikimeve kryesisht, regjistroi procedimin penal nr.211 viti 2021, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga neni 287, paragrafi (1), shkronjat (a), (b) dhe (dh), nenet 28/4, 333/a/2, 334/1 të Kodit Penal.   

Operacioni 

Operacioni ishte bashkëpunim dhe koordinim i policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit me Drejtorinë Distrektuale Antimafia në Prokurorinë e Republikës në Gjykatën e Palermos, Itali

Dokumenta bashkëngjitur

EMISIONET