Samiti i BE/ Xhixho: Sjellja e Ramës e papranueshme. Para se t’i kërkoj llogari Brukselit, të bëjë një vetëvlerësim të vetes

Ditën e sotme në Bruksel u mbajt samiti i BE, ku pjesëmarrës ishin dhe kryeministri Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriu,  Dimitar Kovaçevsk, dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç.

Në një intervistë për  Ora News, deputetja e LSI-së Erisa Xhixho, u shpreh se gjuha e përdorur sot nga Rama dhe deklaratat nëse do marrë apo jo pjesë në samit janë të papranueshme.

Erisa Xhixho: Gjuha e përdorur nga Rama, dhe ai show për të vajtur apo të mos vajtur në samit, padyshim janë sjellje të papranueshme të një kryeministri. E gjithë konferenca për shtyp apo qëndrimet që ai mbajti ndaj kësaj situate të procesit integrimit evropian ishte faji i të tjerëve dhe aspak një analizë e faktit se edhe Shqipëria duhet të bëjë një analizë se pse në Paris Macron nuk e shkëputi Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut.

Sipas saj është lajm i keq që ende nuk kemi një konferencë ndërqeveritare për hapjen e negociatave pasi sipas saj qytetarët meritojnë avancimin e procesit të integrimit evropian. Xhixho u tregua kritike ndaj qeverisë duke thënë se kjo e fundit nuk ka plotësuar kriteret që i kërkohen.

Erisa Xhixho: Është lajm i keq që nuk kemi një konferencë të parë ndërqeveritare dhe hapjen zyrtare të negociatave. Qytetarët shqiptarë e meritojnë avancimin e procesit të integrimit evropian dhe jo qeveria shqiptare sepse nuk ka përmbushur kriteret që kërkohen.

Ajo tha se theksi në koferencën e liderëve të Ballkanit u vu te nisma “Open Balkan” ndërsa shtoi se kjo është një iniciativë e Vuçiç e cila nuk është gjithëpërfshirëse.

Erisa Xhixho: Në të gjithë konferencën për shtyp, theksi më i madh u vu te Open Balkan. Është një iniciativë nga Vuçiç, një iniciativë e paqartë që nuk është gjithëpërfshirëse.

Xhixho thekson se pas agresionit rus në Ukrainë, qeveria shqiptare duhet të mbante një qëndrim të qartë se cilin krahë do të mbajë.

Erisa Xhixho: Pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, qeveria shqiptare duhet të mbante një qëndrim, nëse është me Europën a Kosovën apo është me Rusinë dhe Serbinë. Që nga agresioni rus Shqipëria do duhet të kishte dalë nga Open Balkan. Ne kemi dërguar dhe një rezolutë dhe kemi kërkuar në mënyrë të argumentuar daljen nga Open Balkan.

E gjithë kjo nismë, synon fuqizimin e Serbisë në rajon dhe kjo është e ditur. Shqipëria në politikën e saj të jashtme ka pasur një parim. Parimin që në çdo iniciativë që do të përfshihet Shqipëria do të kishte diskutime me Kosovën.

Ajo tha se qëllimi në konferencë ishte për t’i bërë presion BE dhe për të treguar  se si alternativë kanë “Open Balkan” .

Erisa Xhixho: I gjithë diskursi ishte  për të bërë një preson ndaj BE se ne kemi “Open Balkan” si alternativë. Pra për të legjitimuar atë që kanë ndërtuar dhe për ta justifikuar në opinionin publik që shih se kjo është alternativa që mund të na çojë përpara. Fjalori dhe sjellja padyshim e papranueshme. Mos të harrojmë se Shqipëria  ka penalizuar Maqedoninë e Veriut me pa të drejtë.

Ajo tha se Rama para se ti kërkojë llogari Brukselit fillimisht duhet të bëjë  një vetëvlerësim të vetes dhe kritereve që ka.  

Erisa Xhixho: Mendoj se Kryeministri përpara se t’i kërkoj llogari Brukselit, duhet të bëjë një vetëvlerësim të vetes dhe kritereve që ka përmbushur karshi Brukselit. Mendoj se ndryshimi i Kursit që paralajmëron Rama është një thënie edhe një diskurs shumë i rrezikshëm për Shqipërinë.

Intervistoi Arnold Kariqi, përgatiti Anila Kolgjini.

EMISIONET