“Reqi i Korçës” e Vis Kosova premtuan 260 mijë euro tek Luftar Reçi për të ndryshuar dëshminë në SPAK

Dërgohen në gjyq dy personat që kanë tentuar të korruptojnë e më pas të helmojnë dëshmitarin e prokurorisë luftar reçi. Elton Goskova ose siç thiret ndryshe “Reqi i Korçës”, i arrestuar dhe Ervis Kosova në kërkim, akuzohen se në bashkëpunim mes tyre i kanë ofruar një shumë monetare dëshmitarit në burgun e Korçës dhe pasi ai nuk ka pranuar kanë tentuar ta helmojnë atë. Luftar Reçi ka dëshmuar kundër grupit të Emiljano Shullazit

Dy miqtë e Emiljano Shullazit, Elton Goskova ose siç thiret ndryshe “Reqi i Korçës” dhe Ervis Kosova, janë marrë të pandehur dhe do përballen në gjykatë me akuzën e korrupsionit Aktiv ndaj dëshmitarit të prokurorisë, Luftar Reçi.

Në muajin shkurt të këtij viti, Goskova u arrestua në qytetin e Korçës me urdhër të SPAK.

Ndërsa miku i tij Ervis Kosova, ishte larguar në Kosovë duke i shpëtuar arrestimit.

“Ora News” disponon dosjen e prokurorisë së posaçme, ku evidentohen të dhëna se Ervis Kosova dhe Elton Goskova, kanë bërë përpjekje të shumta për të korruptuar dëshmitarin Luftar Reçi, që mbahej i izoluar në burgun e Drenovës në Korçë.

Rreth 260 mijë euro i janë ofruar bashkëpunëtorit të SPAK-ut në këmbim të tërheqjes së dëshmisë për implikimin e Emiljano Shullazit në vrasjen e Vajdin Lamajt dhe mikut të tij, Artan Arsi në vitin 2005.

Luftar Reçi rrëfeu për SPAK në tetor-nëntor 2020 veprimtarinë kriminale, që ka pasur me Lulzim Berishën dhe anëtarët e tjerë të bandës së tij, duke implikuar edhe Emiljano Shullazin.

Sipas prokurorisë, rrëfimi ka alarmuar dhe vënë në lëvizje Shullazin dhe persona të tjerë të implikuar nga Reçi.

Për të korruptuar, Luftar Reçin, me qëllim për të ndryshuar dëshminë, janë aktivizuar Elton Goskova, i njohur si “Reqi i Korçës”, bashkë me Ervis Kosovën.

Sipas dosjes hetimore, lëvizjet kanë nisur që në qershor të vitit 2021 deri në fillim të shtatorit. “Reqi i Korçës”, ka hyrë në lidhje me Luftar Reçin përmes Luçiano Memos, duke i ofruar 260 mijë euro në këmbim të tërheqjes së dëshmisë që implikonte Shullazin, në vrasjen e biznesmenit Vajdin Lame.

Sipas dosjes penale, Luftar Reçi fillimisht do të merrte paraprakisht 40 mijë euro dhe 10 milionë lekë të vjetra, për të krijuar besim.

Pasi të ndryshonte dëshminë, Reçi do të merrte edhe 210 mijë euro të tjera. Pasi i kanë bërë ofertën prej 260 mijë euro, Luftar Reçi, ka vendosur të sinjalizojë SPAK.

Prokurorët, për të fituar kohë me qëllim kryerjen e veprimeve hetimore, e kanë instruktuar Luftar Reçin që të kërkonte dy javë kohë për t’u menduar.

Kjo përgjigje ka nervozuar të implikuarin dhe njerëzit e tyre, pasi ata kërkonin që dëshmia të ndryshohej sa më shpejt për shkak të frikës së mbylljes së hetimeve nga SPAK dhe referimin e dosjes për gjykim në gjykatë.

Në këto rrethana, thuhet në dosje ka nisur të aplikohet plani B, që parashikonte eliminimin fizik të bashkëpunëtorit të SPAK-ut, Luftar Reçi. Plani ishte thurur që Reçi të vritej brenda në burg, me anë të helmimit të ushqimit por gjithçka është zbuluar dhe ndjekur nga SPAK.


Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

EMISIONET