Vapa po ju mban zgjuar? Ja truket e thjeshta për një gjumë më të qetë gjatë verës...

Vapa po ju mban zgjuar? Ja truket e thjeshta për një gjumë

Netët e nxehta të verës mund ta bëjnë gjumin një makth, sidomos nëse nuk keni ajër të kondicionuar. Megjithatë, disa zakone të thjeshta mund t'ju ndihmojnë të freskoheni dhe të flini më rehat. Sipas Matthew Ebben, profesor asistent në Departamentin e Neurologjisë dhe Neuroshkencës në Qendrën e Gjumit në New York City, sekreti është të ndihmoni trupin të ulë temperaturën para se të shkoni në shtrat.

Një nga mënyrat më efektive është të bëni një dush të freskët pak para gjumit. Kjo ndihmon në uljen e temperaturës së trupit dhe e përgatit organizmin për një gjumë më të qetë.

Edhe aktiviteti fizik i lehtë mund të jetë i dobishëm. Dr. Ebben rekomandon ushtrime si joga ose Pilates, të cilat relaksojnë trupin pa e nxehur atë shumë, ndryshe nga stërvitjet intensive.

Një ventilator mund të bëjë më shumë sesa thjesht të qarkullojë ajrin. Zhurma e tij e vazhdueshme krijon një efekt "zhurme të bardhë", që ndihmon në bllokimin e tingujve të jashtëm dhe e bën më të lehtë të bini në gjumë.

Nëse vapën e ndieni të padurueshme, mund të përdorni edhe pako akulli. Vendosini në pikat ku pulsi ndihet më fort, si kyçet e duarve, qafa, kyçet e këmbëve ose pas gjunjëve, për të freskuar më shpejt të gjithë trupin.

Rëndësi kanë edhe çarçafët. Zgjidhni materiale natyrale, si pambuku i lehtë, i cili lejon lëkurën të marrë frymë dhe ju mban më të freskët gjatë natës. Materialet si sateni, mëndafshi apo poliesteri priren të mbajnë më shumë nxehtësi.

Nëse keni mundësi, flini në dhomën më të freskët të shtëpisë. Në të kundërt, mbajini perdet të mbyllura gjatë ditës për të penguar rrezet e diellit të ngrohin ambientin.

Së fundi, mos e neglizhoni hidratimin. Temperaturat e larta rrisin rrezikun e dehidratimit, ndaj pini mjaftueshëm ujë gjatë ditës dhe konsumoni fruta e perime të pasura me lëngje për ta ndihmuar organizmin të përballojë më mirë vapën.

EMISIONET