Polemika për penalltinë e Mbappes, Haaland dhe Deschamps kritikojnë vonesën e arbitrave

Penalltia e akorduar në favor të Francës në ndeshjen çerekfinale të Kupës së Botës ndaj Marokut ka ndezur debatet në rrjetet sociale, jo për vendimin e arbitrit, i cili konsiderohet i drejtë, por për vonesën e gjatë para ekzekutimit të saj.
Nga momenti kur arbitri argjentinas Facundo Tello sinjalizoi penalltinë deri te gjuajtja e Kylian Mbappes kaluan afro pesë minuta. Sipas shumë tifozëve francezë, kjo pritje ndikoi negativisht në përqendrimin e sulmuesit të Real Madridit, i cili e humbi penalltinë.
Mes atyre që kritikuan situatën ishte edhe sulmuesi norvegjez Erling Haaland. Duke ndjekur ndeshjen, ai reagoi në rrjetin social Snapchat.
“Nuk mund të presësh pesë minuta për të ekzekutuar një penallti”, shkroi Haaland.
Me të njëjtin mendim u shfaq edhe trajneri i Francës, Didier Deschamps.
“Jam dakord me Haaland. Unë nuk flas spanjisht dhe arbitri ishte argjentinas. Kylian ishte gati për të gjuajtur penalltinë, por nuk ishte një situatë e lehtë. Duhet të përshtatesh me rrethanat dhe kjo mund të të shqetësojë”, deklaroi ai në konferencën për shtyp.
Pas ndeshjes, vetë Mbappe shpjegoi se çfarë ndodhi gjatë minutave të pritjes, duke zbuluar konfuzionin e krijuar nga komunikimi me arbitrin dhe kontrolli i VAR-it.
“Gjuajta dhe portieri e priti. Nuk e godita mirë. Më pas situata u bë e ndërlikuar, sepse arbitri më tha se ishte penallti. E pyeta nëse kontrolli kishte përfunduar dhe ai më tha po. Ousmane ma dha topin dhe unë po përqendrohesha për goditjen, por arbitri u kthye sërish dhe më tha se nuk kishte penallti.
E mora topin në duar, e vendosa përsëri dhe më pas më thanë se penalltia ishte konfirmuar. Më pas më kërkuan të prisja edhe për një kontroll tjetër të një aksioni të ndodhur dy minuta më parë. E gjithë kjo më shpërqendroi”, tregoi sulmuesi francez.
Mbappe pranoi se vonesa ndikoi në përgatitjen e tij mendore për ekzekutimin e penalltisë.
“Ndoshta mendova për shumë skenarë dhe humba përqendrimin. Nuk e di sa zgjati e gjithë pritja, por ky është futbolli modern me VAR-in. Duhet të përshtatemi”, përfundoi ai.


