Prokuroria bën “Gol” me dosjen “Gradeci”, gjykata ia anullon. Urdhëron Akuzën të hetojë ish-drejton e AKBN-së
Klodian Gradeci, një nga ish-drejtorët e Agjensisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, i arrestuar dhe më pas liruar nga Gjykata e Tiranës, ka mundur të shpëtojë ndjekjes penale, falë kërkesës së prokurorisë, për pushimin e akuzës ndaj tij.
Ka qënë prokurori Arben Agovi, i cili prej 27 shtator 2022 ka paraqitur në gjykatën e Tiranës, kërkesën për pushimin e dosjes penale në ngarkim të ish-drejtorit të AKBN-së, Klodian Gradeci dhe ish-inspektorit pranë kësaj agjensie, Qani Hoxhaj.
Kallëzimi i depozituar nga ish-drejtori i “Albpetrol” Endri Puka, u rrudhën nga prokuroria e Tiranës, duke vendosur pushimin e akuzës “Shpërdorim detyre” për dy zyrtarët.
Por ndërkohë gjyqtarja Ardiana Bera, pasi lexoi dosjen e prokurorisë, vendosi të mos pranojë kërkesën e prokurorit, duke urdhëruar këtë të fundit në 26 janar 2023 që të tërhiqte dosjen mbrapsht dhe të vijonte hetimet për një periudhë 90 ditore.
Gjykata vlerëson se skandali erdhi nga mos përmbushja e rregullt e detyrës dhe ndaj duhet kryer individualizimi i përgjegjësive të secilit nga zyrtarët e AKBN duke nisur nga veprimet e duke u lidhur me pasojën e sjellë nga faturat e depozituara pranë një banke.
Të dy zyrtarët Gradeci dhe Hoxhaj, u proceduan në Tetor 2020, si persona të përfshirë në një aferë çertifikimi të punimeve false, në puset e naftës të dy biznesmenëve Isuf Berberi i kompanisë “Fufarma” dhe Namik Kasa i kompanisë “Phoenix Petroleum”.
Së bashku me ta u proceduan dhe persona të tjerë si Denis Durrsi, Naim Kasa, Arben Doda, Simon Marku dhe subjekti tregtar “Phoenix Petroleum”.
Por ndryshe nga këta persona që janë në hetim, për Klodian Gradecin dhe Qani Hoxhaj, prokuroria kishte kërkuar pushimin e hetimeve.
Çështja me mashtrimin në 8 fatura financiare të vitit 2015 që pasqyronin situacionet e investimeve me vlerë 1 milion e 290 mijë dollarë, filloi të bjerë aromë të keqe deri në amerikë, pasi e përfshirë në këtë skandal, duket se është dhe kompania “Blac Sean Energy Services” “BSES”.
Me qëllim konfirmimin e origjinalitetit apo falsitetit të faturave të mësipërme i është dërguar autoriteteve gjyqësore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës një kërkesë për ndihmë juridike.
Në përgjigje të kësaj kërkese këto autoritete kanë informuar si më poshtë duke marë në pyetje shtetasen Eva Peza, e cila ishte nënshkruese marëveshjes së bashkëpunimit për kryerje punimesh mes firmës shqiptare “Phoenix Petroleum” dhe asaj amerikane “BSES”.
Në materialin hetimor i dërguar nga Byroja Federale e Hetimit, thuhet se:
“…Stetasja Eva Peza, ka konfirmuar se është në dijeni të situatës me shoqërinë "Phoenix Petroleum" sh.a. faturat e së cilës arrijnë shumën 1.290.000 UD. Kjo shtetase ka konfirmuar se faturat janë të falsifikuara pasi Blac Sean Energy Services (BSES) nuk ka punuar asnjëherë për shoqërinë "Phoenix Petroleum sh.a. Në një çështje të pavarur nga çështja në fjalë, para se të krijohen faturat e falsifikuara, “BSES” kontaktoi me një person të quajtur Naim Kasa i cili ishte i lidhur me shoqërinë "Phoenix Petroleum"sh.a. Për të bërë tetë vlerësime rezervuarësh dhe plane biznesi. Asnjë punë nuk u krye në lidhje me këtë çështje pasi "Phoenix Petroleum"sh.a. gjithmonë i shtynte gjërat për një kohë të mëvonshme. Në këtë kontratë kishte firmosur Eva Peza, e cila spekulon se ishte pikërisht nga kjo kontratë që Kasa kopjoi firmën e saj dhe e përdori atë për faturat e falsifikuara…”.
Nisur nga kjosituatë, gjyqtarja Ardiana Bera, ka vlerësuar kthimin e dosjes për rihetim duke i lënë detyra të qarta prokurorit Arben Agovi.
Gjykata çmon se, kërkesa e prokurorisë për pushimin e çështjes periale Nr.1340/1 të vitit 2021, nuk duhet pranuar, pasi nuk është rezultat i një hetimi të plotë, të gjithëanshëm dhe objektiv, e për rrjedhojë nuk duhet miratuar.
Nga studimi i dosjes hetimore, gjykata e çmon të nevojshme të nxjerrë papajtueshmëritë e konstatuara në lidhje me faktet, duke specifikuar edhe drejtimet e duhura drejt të cilave duhet të orientohet prokurori për të plotësuar hetimet.
Ndër të tjera, gjykata urdhëron prokurorin Agovi që dosjen penale ndaj Klodian Gradecit dhe Qani Hoxhaj, duhet ta bashkojë me çështjen penale të Denis Durrsi, Naim Kasa, Arben Doda, Simon Marku dhe subjekti tregtar “Phoenix Petroleum”.
Kjo për arsye se veprimet e personave nën hetim janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe çështja nuk mund të ndahet dhe se duhet të hetohet në një çështje të vetme.
“…ka rezultuar se AKBN-ja e ka konsideruar të realizuar programin e punës duke njohur planet studimore të zhvillimit. Është konkluduar se Phoenix Petrolium ka përmbushur detyrimet minimale "minimum commitment duke iu referuar objektit të kontratës midis “BSES” dhe “Phoenix Petroleum”. Së pari, këto fatura kanë vetëm përshkrimin e përgjithshëm "Plan studimi strategjik për 25 vitet në vazhdim". Këto fatura nuk kanë asnjë detajim të zërave të këtij plan studimi. Aq më tepër që në kontratat e bashkëpunimit që shoqëria "Phoenix Petroleum" sh.a. ka paraqitur në AKBN janë detajuar gjithë llojet e shërbimeve që kjo shoqëri do përfitonte nga shoqëria BSES. Ky konkluzion përforcohet më tepër nga fakti që këto fatura përmbajnë vlera të konsiderueshme financiare (1.299.000 USD)". thuhet në vendimin e gjykatës.