"Prokurorët kanë falsifikuar provat!"/ Malltezi pas seancës për “Partizanin”: Shteti na detyrohet ende 22 mijë m² tokë

"Prokurorët kanë falsifikuar provat!"/ Malltezi pas

Pas përfundimit të seancës gjyqësore për dosjen “Partizani”, Jamarbër Malltezi, dhëndri i kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha dhe një nga të pandehurit në proces, doli para mediave ku hodhi akuza ndaj organit të akuzës dhe paraqiti dokumente që, sipas tij, rrëzojnë pretendimet e ngritura në dosje.

Malltezi tha se një pjesë e pronës, për të cilën është diskutuar në proces, rezulton ende e regjistruar si pronë shtetërore, ndërsa familja Alimehmeti nuk ka marrë kompensimin fizik që i takonte.

"Kjo pjesë edhe sot e kësaj dite figuron pronë shtet. Familja Alimehmeti nuk arriti të merrte kompensimin fizik sipas ligjit që ekzistonte atëherë. Prokurorët kanë gënjyer dhe kjo është pjesë e falsifikimeve që kemi denoncuar."-tha Malltezi.

Ai shtoi se sipërfaqja totale e pesë familjeve pronare është rreth 67 mijë metra katrorë, ndërsa ish-Klubi Sportiv “Partizani” zinte rreth 45 mijë metra katrorë, duke pretenduar se shteti u detyrohet ende rreth 22 mijë metra katrorë.

Malltezi u ndal edhe te procedura e dorëzimit të pronës, duke argumentuar se autorizimi ishte dhënë në janar të vitit 2009, por dorëzimi ishte kryer vetëm nëntë muaj më vonë, ndonëse ligji, sipas tij, parashikonte një afat prej 35 ditësh.

"Ligji e detyronte shtetin ta dorëzonte pronën brenda 35 ditësh, ndërsa dorëzimi u bë vetëm pas 9 muajsh. Kjo nuk tregon favorizim, por një vonesë të pajustifikuar. Po ashtu, në sallën e gjyqit Taulant Balla tha 12 gënjeshtra dhe askush nga prokurorët nuk ndërmori asnjë veprim për dëshmi të rreme."-theksoi ai.

Malltezi bëri të ditur se pala mbrojtëse do të vijojë ta ndjekë çështjen në të gjitha shkallët e drejtësisë.

Ai njoftoi gjithashtu se seanca e ardhshme për dosjen “Partizani” është caktuar të zhvillohet më 14 shtator, kur pritet të dëshmojnë persona të tjerë të thirrur nga gjykata.

 

EMISIONET