"...SPAK you"/ Deputeti opozitar: Nuk e shmangni dot thirrjen e protestuesve!

Deputeti i Partisë "Mundësia", Erald Kapri, ka kërkuar nga foltorja e Kuvendit shpërndarjen e Parlamentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, duke argumentuar se qeveria dhe Kuvendi kanë humbur legjitimitetin.

Gjatë fjalës së tij, ai foli për protestat qytetare, raportet me Bashkimin Europian dhe situatën politike në vend.

Kapri tha se qeveria nuk ka ushtruar normalisht funksionet e saj gjatë vitit të parë të mandatit të katërt dhe se vendi ndodhet në një përplasje me Bashkimin Europian për çështje që lidhen me procesin e integrimit.

"Nëse nuk e keni kuptuar që kjo sallë e ka humbur legjitimitetin, më vjen keq për ju. Po bëhet një vit që Edi Rama është kryeministër në mandatin e katërt dhe nuk ka qeverisur asnjë ditë të vetme."-tha Kapri.

Deputeti i "Mundësisë" u ndal edhe te rezoluta e Parlamentit Europian për zonat e mbrojtura, duke argumentuar se qeveria është futur në një kurs përplasjeje me institucionet europiane.

"Nuk ka ndodhur që Parlamenti Europian të mblidhet jashtë radhe dhe me shumicë dërrmuese të miratojë një rezolutë që kërkon moratorium për zonat e mbrojtura. Tani zgjedhja është kjo, do zgjedhim Ramën në pushtet apo Bashkimin Europian, sepse të dyja nuk mund të ecin bashkë."-shtoi ai.

Në vijim të fjalës së tij, Kapri iu referua protestave qytetare që, sipas tij, po zhvillohen prej 50 ditësh dhe nuk mund të anashkalohen nga mazhoranca.

"Nuk ka bërë vaki që për 50 ditë rresht rinia shqiptare të mbushë sheshet dhe të kërkojë një ndryshim sistemi. Respektoni të rinjtë shqiptarë."-u shpreh Kapri.

Në përfundim, deputeti kërkoi shpërndarjen e Kuvendit dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme si rrugëdalje nga situata politike.

"Minimumi që mund të bëjmë është të shpërndajmë këtë Parlament dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Pranojeni këtë fakt."-theksoi deputeti opozitar.

EMISIONET