PËR SHKOLLA MË TË SIGURTA / 6 vite përkushtim, historia e oficeres që mbron nxënësit çdo ditë
Oficerët e sigurisë në shkolla janë më shumë se një hallkë e sistemit arsimor. Ora News ishte në Liceun Artistik “Jordan Misja”, ku nga afër pa përkushtimin dhe punën e përditshme të oficeres së sigurisë, që nis para ziles së parë dhe përfundon vetëm kur shkolla boshatiset. Ndërkohë, Ministria e Arsimit ka shpallur 62 vende të reja pune për oficerë sigurie, për të forcuar mjediset shkollore dhe për të garantuar një arsim më të sigurt për të gjithë.
Çdo mëngjes, para se zilja e parë të bjerë, Eva një zonjë e qetë dhe e vëmendshme qëndron në hyrje të Liceut Artistik “Jordan Misja”.
Eva Hajdërasi, oficere sigurie prej gjashtë vitesh është një nga njerëzit që siguron jo vetëm rendin, por edhe qetësinë në një shkollë ku formohen artistët e së ardhmes.
Ajo vjen para të gjithëve dhe largohet vetëm kur shkolla boshatiset.
Një punë që kërkon përkushtim dhe durim, por që bëhet e bukur falë bashkëpunimit me mësuesit dhe drejtuesit, në shërbim të nxënësve. Sepse siç thotë dhe Eva, siguri në shkolla do të thotë më shumë se rregull, dhe më shumë edukim, art e një e ardhme më e sigurt për të gjithë.
Sot, roli i oficerëve të sigurisë në shkolla po merr një vëmendje edhe më të madhe ndaj dhe për këtë arsye ministria e Arsimit ka shpallur 62 vende të reja pune për oficerë sigurie në shkolla në të gjithë vendin si partnerë të përditshëm në garantimin e sigurisë për nxënësit.

