Rënie e rasteve të reja në Gostivar/ Rreth 4 mijë persona të prekur, vijojnë hetimet për ndotjen e ujit

Situata shëndetësore në Gostivar po shkon drejt përmirësimit, ndërsa numri i rasteve të reja me probleme gastrointestinale ka shënuar rënie.
Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Sasho Klekovski, bëri të ditur se epidemia ka hyrë në fazën e qetësimit, por monitorimi dhe analizat do të vijojnë për të përcaktuar shkaqet e plota të shpërthimit.
Sipas të dhënave të fundit, janë regjistruar rreth 80 raste të reja, një shifër pothuajse dy herë më e ulët krahasuar me ditët e mëparshme.
Në total, numri i personave të prekur ka arritur rreth 4 mijë, ndërsa 750 raste janë klasifikuar si sëmundje ngjitëse. Autoritetet kanë kryer edhe qindra intervista epidemiologjike për të përcaktuar lidhjen mes rasteve.
Pavarësisht përmirësimit të situatës shëndetësore, uji i rrjetit të ujësjellësit në Gostivar vijon të mos jetë i sigurt për përdorim, as për qëllime teknike. Autoritetet po monitorojnë vazhdimisht nivelin e klorit në ujë, ndërsa përdorimi do të lejohet vetëm pasi parametrat të arrijnë standardet e kërkuara.
Hetimet për ndotjen e ujit vijojnë, ndërsa dyshohet se në sistemin kryesor të furnizimit është vendosur në mënyrë të paligjshme një pompë që ka futur ujë nga lumi Vardar në rrjet, me qëllim rritjen e presionit.
Për këtë ngjarje, Gjykata Penale në Gostivar ka caktuar 30 ditë paraburgim për tre persona të dyshuar. Ata përballen me akuza që lidhen me ndotjen e sistemit të furnizimit me ujë, ndërsa hetimet do të vazhdojnë për zbardhjen e plotë të përgjegjësive.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shpallur gjendje krize 30-ditore në Gostivar, ndërsa institucionet vijojnë kontrollet dhe furnizimin e qytetarëve me ujë të pijshëm deri në normalizimin e situatës.


