Porti i Durrësit, zbardhet padia në Gjykatë Kushtetuese. PD kërkon rrëzimin e ligjit që shërbeu si bazë juridike
Ankimi i PD në Gjykatën Kushtetuese kundër projektit të qeverisë për portin e Durrësit, pesë ditë më parë u shoqërua me debate pasi Gazmend Bardhi u shpreh se nuk mund të paditej një vendim që nuk është marrë. Por dokumenti i padisë i zbardhur nga Ora News, tregon se demokratët i kanë kërkuar Kushtetueses të rrëzojë ligjin që ka shërbyer si bazë juridike për marrëveshjen, me efekt final shfuqizimin e vendimit
Partia Demokratike dorëzoi 5 ditë më parë një padi në Gjykatën Kushtetuese, e cila u interpretua si “gabim juridik” nga deputeti Gazmend Bardhi pasi sipas tij ligji për portin e Durrësit nuk është votuar ende në parlament.
Por burime nga PD, sqarojnë se në fakt padia kërkon shfuqizimin e bazës juridike të projektit për portin, konkretisht ligjit për ratifikimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe miratuar në datë 3.12.2020.
Sipas PD pas këtij ligji, fshihet zanafilla e projektit të Portit të Durrësit që është cilësuar nga opozita si megaaferë korruptive.
Ratifikimi i marrëveshjes midis dy vendeve përmban 9 nene, ku i gjashti parashikon prioritet e zhvillimit ekonomik dhe të mirëqenies së qytetarëve respektivë.
Palët kanë përcaktuar listën e projekteve specifike ku ndër to është edhe Zhvillimi i Portit të Durrësit.
Neni 6 i Marrëveshjes përcakton përjashtimin e projektit në fjalë nga prokurimi publik dhe procedura e konkurrencës publike.
Në zbatim të këtij dokumenti, pa garë dhe pa transparencë publike, u zgjodh për këtë investim prej 2 miliard Euro kompania Symphony Real Estate Development me garantues financiar NSHMI Development L.L.C. kjo kompani ka firmosur kontratë shitje për 100% të kuotave nga ortaku, Symphony Invest Limited në favor të subjektit NORTH EAST REAL ESTATE HOLDINGS LIMITED me çmim 10,000 Lekë.
Në ankimin e PD, aryetohet se pikërisht me këto lëvizje tregtare bie poshtë alibia se Portin e Ri të Durrësit do ta ndërtojë kompania Emaar Group; me një investimin prej 2 miliard Euro në Portin e Ri kur, kapitali i kompanisë së përzgjedhur fillimisht dhe në kontratën e shitjes është vetëm 10,000 lekë.
Sipas padisë ligji ratifikues kërkohet të goditet përsa kohë që i ka dhënë fuqi një marrëveshje që vjen në kundërshtim me Kushtetutën, marrëveshjet e tjera ndërkombëtare të zbatueshme në Shqipëri si dhe me parimet dhe rendin e brendshëm juridik.