Policia godet në kohë në Vau të Dejës/ Kapet në flagrancë 38-vjeçari me minë me telekomandë, parandalohet shp*rthimi
Policia e Shtetit ka parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale në Vau të Dejës, pas arrestimit të një 38-vjeçari që po transportonte një mjet shpërthyes me telekomandë.
Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Shkodër, pas informacioneve të marra në rrugë operative. Operacioni është koduar “Remote”.
Në orët e para të mëngjesit, në fshatin Stajkë, policia ndaloi për kontroll automjetin me të cilin lëvizte i dyshuari.
Gjatë kontrollit u gjet një minë me telekomandë e lidhur me një aparat celular, e përshtatur për shpërthim në distancë.
Në cilësinë e provave materiale u sekuestruan edhe automjeti, dy telefona celularë dhe një maskë.
Në përfundim të veprimeve të para, u arrestua 38-vjeçari Euglen Buraku, banues në Spitallë të Durrësit.
Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim një 34-vjeçar, gjithashtu banues në Durrës, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë rast.
Hetimet po vijojnë nën drejtimin e prokurorisë, për të përcaktuar destinacionin dhe qëllimin e mjetit shpërthyes, si dhe për të identifikuar persona të tjerë të mundshëm të përfshirë.


