Dera gjysmë e hapur e BE-së për Ballkanin, cili shtet do të hyjë i pari?!

Dera gjysmë e hapur e BE-së për Ballkanin, cili shtet do të

Që nga 1 korriku 2013, kur Kroacia u bë anëtari i 28-të i Bashkimit Europian, dera e zgjerimit mbeti formalisht e hapur për 6 vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë kësaj kohe, procesi i integrimit është bërë më i rreptë në kushte, ndërsa vendet nuk lanë pas konfliktet etnike dhe kanë një hendek të madh në standardet ekonomike dhe ato të qeverisjes me BE-në. Projekti i dikurshëm i anëtarësimit në bllok të rajonit ka rënë, teksa vendet po përparojnë me shpejtësi të ndryshme.

“Monitor” ka analizuar, bazuar në shkrimet dhe shifrat e gjashtë gazetarëve ekonomikë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, në një projekt të mbështetur nga GIZ dhe #SustainMedia, shpejtësinë e integrimit të Ballkanit Perëndimor.

Mali i Zi dhe Shqipëria kanë ecur më shpejt, teksa Maqedonia e Veriut mbetet e bllokuar nga çështje politike dhe etnike, Serbia po lëviz me ritëm të ngadaltë, ndërsa Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina vazhdojnë të përballen me pengesa themelore shtet-formuese dhe institucionale.

Mali i Zi ka premisa të bëhet anëtar më shpejt se vendet e tjera. Vendi ka hapur prej kohësh negociatat dhe ka mbyllur përkohësisht 16 nga 33 kapitujt. Ambicia zyrtare është anëtarësimi në vitin 2028, një objektiv që ka marrë edhe mbështetje politike nga Brukseli.

Megjithatë, pas progresit teknik fshihen probleme si sundimi i ligjit, korrupsioni, politizimi i institucioneve dhe mungesa e reformave të thella në sistemin e drejtësisë që mbeten pengesat kryesore. Shumë analistë në Podgoricë paralajmërojnë se ekziston rreziku i një anëtarësimi formal, por jo ndonjë përparim i dukshëm me standardet ekonomike.

Shqipëria ka shënuar përparimin më të shpejtë në rajon gjatë dy viteve të fundit. Në qershor 2026, vendi ka hyrë zyrtarisht në fazën e mbylljes së negociatave, pasi ka hapur të gjithë kapitujt. Objektivi i qeverisë është mbyllja e negociatave deri në fund të vitit 2027 dhe anëtarësimi rreth vitit 2030.

Megjithatë, sfida kryesore nuk është më hapja e kapitujve, por zbatimi standardeve europiane në ekonomi dhe institucione. Ekspertët paralajmërojnë se bizneset shqiptare kanë vetëm pak vite kohë për t’u përshtatur me rregullat e tregut të përbashkët, ndërsa vlerësimet tregojnë se vetëm 10-15% e sipërmarrjeve konsiderohen aktualisht të gatshme për konkurrencën europiane.

Në krahun tjetër qëndron Maqedonia e Veriut, ndoshta shembulli më unik ku procesi nuk përparon nga kriteret politike. Dy dekada pas Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe pas ndryshimit të emrit të shtetit përmes Marrëveshjes së Prespës, vendi ende nuk ka nisur negociatat. Bllokimi lidhet me kërkesën për ndryshime kushtetuese që do të përfshinin të drejtat e komunitetit bullgar, një kusht që refuzohet nga qeveria.

Kjo ka krijuar ngërç politik ku Brukseli këmbëngul te ndryshimet kushtetuese, ndërsa Shkupi kërkon garanci se nuk do të përballet me veto të reja në të ardhmen. Mbështetja publike për anëtarësimin në BE ka arritur në rreth 71%, por procesi duket më larg se kurrë.

Serbia përfaqëson një rast krejt të ndryshëm. Ajo mbetet vend kandidat dhe vazhdon negociatat, por ritmi është ngadalësuar ndjeshëm. Nga 35 kapituj, vetëm 22 janë hapur dhe vetëm dy janë mbyllur përkohësisht. Pengesat kryesore mbeten normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, sundimi i ligjit dhe refuzimi për t’u harmonizuar me politikën e jashtme të Bashkimit Europian, sidomos lidhur me Rusinë.

Megjithatë, Serbia është tashmë thellësisht e integruar ekonomikisht me BE-në, e cila është partneri i saj kryesor tregtar dhe po ashtu në investime nga BE. Kjo ka krijuar një situatë që disa analistë e përshkruajnë si “gjysmë-anëtarësim”, ku të dyja palët përfitojnë nga status quo-ja pa pasur domosdoshmërisht interes për ta përshpejtuar anëtarësimin e plotë. Megjithatë, vendi synon të anëtarësohet në BE rreth vitit 2035.

Kosova mbetet vendi më larg anëtarësimit. Dhjetë vjet pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, ajo ende nuk ka statusin e vendit kandidat. Përveç reformave të brendshme në drejtësi, administratë dhe luftën kundër korrupsionit, Kosova përballet me një pengesë kryesore që lidhet me mosnjohjen nga pesë shtete anëtare të BE-së.

Për më tepër, dialogu me Serbinë vazhdon të jetë kushti kryesor politik. Edhe pse ka bërë hapa në fusha si SEPA, Plani i Rritjes dhe integrimi ekonomik rajonal, rruga drejt anëtarësimit mbetet e bllokuar nga faktorë që shkojnë përtej reformave të brendshme.

Procesi i integrimit për në BE i Bosnjë-Hercegovinës mbetet tepër sfidues. Edhe pse mori statusin e vendit kandidat në vitin 2022 dhe në vitin 2024 mori miratimin politik për hapjen e negociatave, procesi mbetet i kushtëzuar nga reformat institucionale.

Vendi vuan nga mungesa e mekanizmave efikase për planifikimin dhe koordinimin e fondeve të BE-së, ndërsa ende nuk është përcaktuar qartë se cilat institucione do të mbajnë përgjegjësinë për raportimin mbi zbatimin e aktiviteteve të reformës. Bosnja mbetet mes statusit të kandidatit dhe vështirësive të një shteti që ende po përpiqet të ndërtojë konsensusin e brendshëm për drejtimin e tij strategjik.

Mali i Zi: Kryeson garën, por ka ende shumë punë përpara

Ndërsa qeveria malazeze synon me ambicie anëtarësimin në Bashkimin Europian në vitin 2028, ekspertët mbeten skeptikë. Ata paralajmërojnë se shoqërisë i mungon progresi thelbësor dhe reformat strukturore të nevojshme për një integrim të vërtetë, duke tërhequr vëmendjen ndaj rrezikut të një “anëtarësimi në letër”, që nuk sjell përmirësime reale për qytetarët.

Që nga hapja e negociatave të anëtarësimit në vitin 2012, Mali i Zi ka mbyllur përkohësisht 16 nga 33 kapitujt. Qeveria këmbëngul se kapitujt e mbetur do të finalizohen deri në fund të vitit 2026, duke i hapur rrugë anëtarësimit të plotë në vitin 2028, por ministria e Çështjeve Europiane nuk iu përgjigj pyetjeve lidhur me afatet për mbylljen e kapitujve të mbetur./Monitor.al/

EMISIONET