Policia e Shkodrës intensifikon masat për sezonin turistik, në maj u zbardhën 96,7% e veprave penale

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Gentian Berberi dhe drejtori i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, kryekomisar Agim Basha, prezantuan sot rezultatet e punës së strukturave policore gjatë muajit maj, si dhe masat e marra për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë sezonit turistik veror.

Gjatë konferencës për shtyp, Berberi bëri të ditur se gjatë muajit maj janë evidentuar 213 vepra penale të ndryshme, prej të cilave janë zbuluar 96,7 % e tyre. Për këto vepra penale janë identifikuar 199 autorë, nga të cilët 33 janë arrestuar/ndaluar, 161 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 5 janë shpallur në kërkim. Krahasuar me muajin e kaluar, janë evidentuar 34 raste më shumë, ndërsa zbulueshmëria është ulur me 1%.

Sipas tij, këto rezultate janë arritur nëpërmjet 9 operacioneve policore të zhvilluara për ekzekutimin e urdhrave të Prokurorisë, për kapjen e shtetasve në kërkim, si dhe në fushat e narkotikëve, krimeve ekonomiko-financiare, lojërave të fatit, prostitucionit dhe kultivimit të bimëve narkotike.

“Gjatë operacioneve, janë arrestuar/ndaluar 10 shtetas, si dhe janë shpallur në kërkim 3 shtetas të tjerë. Gjatë muajit maj janë sekuestruar: 1 armë zjarri, 982 fishekë, 1586 gramë lëndë narkotike Cannabis Sativa, 12.1 gramë lëndë narkotike Kokainë, 5 kompjutera për lojëra fati, 210 700 lekë, 850 euro, 20 dollarë, si dhe sende/mjete të tjera që lidhen me veprimtari kriminale”, tha ai.

Gjithashtu, shtoi Berberi janë asgjësuar 3394 bimë narkotike dhe 571 fidanë narkotikë, në kubikë.

“Janë evidentuar 6 rate të krimeve mjedisore, për të cilat janë proceduar 6 shtetas, referuar 17 raste per veprat penale që cenojnë regjimin juridik të tokës, ndaj 17 shtetas, ku 1 është ndaluar/arrestuar. Janë trajtuar në total 95 konflikte, nga të cilat 27 konflikte në familje dhe 68 konflikte për motive të ndryshme. Për këto raste janë kryer të gjitha veprimet në zbatim të procedurave standarde dhe janë proceduar autorët e dyshuar”, theksoi Berberi.

Në fushën e sigurisë rrugore, Berberi tha se janë shtuar kontrollet dhe monitorimi në akset kryesore, me fokus drejtimin e automjeteve në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi.

Gjatë muajit maj janë evidentuar 35 raste të kësaj natyre dhe janë arrestuar 10 shtetas.

Ai theksoi se një ndër prioritetet kryesore mbetet garantimi i sigurisë gjatë sezonit turistik, menaxhimi i qarkullimit rrugor dhe parandalimi i kriminalitetit.

Nga ana e tij, drejtori i Kufirit dhe Migracionit, Agim Basha, deklaroi se “gjatë muajit maj 2026, në pikat e kalimit kufitar të qarkut Shkodër janë përpunuar 461.511 shtetas dhe 200.616 automjete, me një mesatare ditore prej 14.887 shtetasish dhe 6.471 automjetesh. Fluksi maksimal i regjistruar brenda 24 orëve ka arritur në 21.703 shtetas dhe 8.290 automjete, tregues që konfirmojnë rritjen e ndjeshme të lëvizjeve ndërkufitare gjatë sezonit turistik”.

Sipas Bashës, përballimi i fluksit është mbështetur me shtim personeli, poste të reja pune dhe përmirësim të sistemeve teknologjike në pikat kufitare, me qëllim përshpejtimin e procedurave dhe rritjen e sigurisë.

Në kuadër të sezonit turistik, ai bëri të ditur se në plazhin e Velipojës janë angazhuar 35 punonjës policie, 3 drejtues shërbimi, patrulla ujore me jet ski, skaf dhe gomone, si dhe po kryhet monitorim i vazhdueshëm nga toka dhe ajri nëpërmjet dronëve.

Në fushën e migracionit, shtoi ai, “gjatë muajit maj janë regjistruar 461 aplikime online për leje qëndrimi nëpërmjet sistemit e-Albania, me rritje krahasuar me muajin paraardhës. Janë procesuar 318 praktika aplikimi, ndërsa janë miratuar 269 leje qëndrimi, duke shënuar pothuajse dyfishim të numrit të lejeve të miratuara krahasuar me muajin prill. Gjithashtu, 173 shtetas të huaj kanë aplikuar për pajisje me leje biometrike”.

Basha theksoi se kontrollet në kufirin e gjelbër, kufirin liqenor dhe hapësirën detare do të vijojnë me intensitet të lartë, në bashkëpunim me autoritetet homologe të Malit të Zi, për parandalimin e kalimeve të paligjshme, kontrabandës dhe aktiviteteve të tjera kriminale.

Drejtuesit e policisë apeluan për bashkëpunim nga qytetarët dhe respektim të rregullave të sigurisë rrugore dhe detare, veçanërisht gjatë sezonit turistik, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe vizitorëve.

EMISIONET