POGRADECI, MIRË E LIRË/ Sezon “i mbarë”, turistët e zgjedhin për klimën dhe çmimet
Pogradeci po përjeton një nga sezonet verore më të suksesshme të viteve të fundit.
Muaji korrik ka sjellë një rritje të ndjeshme të numrit të pushuesve vendas dhe të huaj, të cilët kanë zgjedhur qytetin buzë liqenit për të kaluar pushimet.
Vizitorët vlerësojnë klimën, natyrën, mikpritjen, si dhe raportin e favorshëm mes çmimeve dhe cilësisë së shërbimeve.
Ledian Zeqollari, drejtor i Turizmit në Bashkinë Pogradec, thotë se, përveç rritjes së numrit të turistëve, është zgjeruar edhe gama e arsyeve që i shtyn, veçanërisht të huajt, të zgjedhin Pogradecin si destinacion.
Sipas tij, ndërthurja e turizmit natyror, kulinarisë, aktiviteteve në natyrë dhe ofertës kulturore e ka kthyer Pogradecin në një nga destinacionet më të preferuara të juglindjes së Shqipërisë.


