TATIMET KONTROLLOJNË KRIPTOVALUTAT/ Platformat do të raportojnë klientët dhe transaksionet me kripto-asete
Të gjitha pasuritë në formën e kriptovalutave do të jenë nën kontrollin e Tatimeve, sipas projektligjit për shkëmbimin automatik të informacionit mbi kripto-asetet.
Sipas projektligjit, ofruesit e shërbimeve të kripto-aseteve do të kenë detyrimin të mbledhin, verifikojnë dhe raportojnë informacion mbi klientët dhe transaksionet që kryhen në platformat e tyre.
Këto të dhëna do t’i kalohen Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, e cila më pas do t’i shkëmbejë automatikisht me autoritetet tatimore të vendeve të Bashkimit Europian.
Gjithashtu, projektligji parashikon që të gjithë tatimpaguesit të trajtohen në mënyrë të barabartë, pavarësisht nëse investojnë në asete tradicionale apo në kripto-asete.
Qëllimi kryesor i kësaj nisme është të parandalojë fshehjen e të ardhurave dhe shmangien e detyrimeve tatimore përmes përdorimit të kripto-aseteve.
Zhvillimi i shpejtë i këtij tregu dhe mundësia për të kryer transaksione ndërkombëtare kanë vështirësuar identifikimin e fitimeve dhe kontrollin e tyre nga administratat tatimore.
Ky projektligj është pjesë e procesit të përafrimit të legjislacionit shqiptar me rregullat e Bashkimit Europian.
Zbatimi i tij do të nisë menjëherë pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Megjithatë, kjo nuk është nisma e parë ligjore për tregun e kriptovalutave në Shqipëri. Në vitin 2020 u miratua ligji i parë për monedhat digjitale dhe tregun e tyre.
Një vit më parë u prezantua edhe një tjetër projektligj, i cili vijon të jetë në shqyrtim dhe fokusohet te licencimi i platformave të kripto-aseteve, si dhe te të drejtat dhe detyrimet e subjekteve që ofrojnë këtë shërbim.


