Po transportonte me furgon 15 emigrantë të paligjshëm, prangoset 56-vjeçari në Korçë

Një 56-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Korçës, pasi u kap duke transportuar me një furgon 15 emigrantë të paligjshëm.
Burime zyrtare nga policia bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasin Gëzim Abdurramani.
Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, për një shtetas që do të transportonte kundrejt pagesës, shtetas të huaj, me qëllim që ata të kalonin ilegalisht kufirin, organizuan veprimet dhe në aksin rrugor “Bilisht-Korçë”, pranë fshatit Cangonj, Devoll, bënë të mundur lokalizimin e automjetit të dyshuar. Gjatë kontrollit në automjetin tip furgon, u gjetën 15 emigrantë të paligjshëm.
Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe provat e siguruara, rezultoi se 56-vjeçari do t’i transportonte emigrantët e paligjshëm, kundrejt pagesës, në kufirin me Kosovën, me qëllim që të kalonin ilegalisht në këtë shtet dhe më pas drejt vendeve të BE-së. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, një aparat celular dhe një shumë parash. Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në të.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.



